Pranvera e hidhur e Sandër Prosit, pamjet e fundit të aktorit një ditë para vdekjes misterioze në hotel “Vollga”

38 vjet më parë, aktori Sandër Prosi ndërroi jetë, gjatë xhirimeve të filmit “Pranverë e hidhur” me regjisor Muharrem Fejzon.

Aktori i madh xhiroi vetëm dy akte disa skena nga ky film dhe në 24 mars 1985 vdiq tragjikisht në hotel “Vollga” në Durrës. Këto janë pamjet e filmit të fundit, të xhiruar një ditë më parë, para se të ndodhte akti i fundit… Këto pamje të rralla, sikurse dy aktet ruhen në AQSHF, të cilin e falenderojmë pasi na i ofroi sot për të nderuar dhe përkujtuar aktorin e madh.

Bashkangjitur po hedhim një pjesë nga kujtimet e regjisorit Muharrem Fejzo, mbi vdekjen e aktorit të madh Sandër Prosi.
“Fjala e parë e Gjikës ishte: brenda muajit prill, të përfundojë filmi “Pranverë e Hidhur”.

Shikimi i vendeve, fotoprovat dhe kinoprovat, u bënë shkel e shko. Këmbëngul për Vangjush Furxhiun. Lexoi Skenarin. Nuk pranon. Timo Flloko, është i zënë. Sandër Prosi…

Grupi u vendos te “Hotel Vollga”në Durrës, pranë ‘Portit Detar’, atje dhe ishin zhvilluar ngjarjet e 7 Prillit të vitit 1939.

Uleshim në një qoshe të errët të “Vollgës” për të pirë kafe. Cigaret që pinte ishin te panumërta. Megjithëse kishte studiuar për stomatologji në Austri, dhëmbët e tij ishin zverdhur nga: – “Kafeja pa duhan, është si turku pa iman” thoshte duke e vështruar cigaren ‘D.S.’zjarri i të cilit kishte prekur thonjtë e nxirë nga nikotina. Rrudhat dale ngadalë po mënjanoheshin, duke i lënë sytë të lirë, të qeshur, si dikur në orët e mësimit të mjeshtërisë aktorit. Ajo që e trembte më shumë se çdo gjë ishte marrëdhënia me shtetin partiak dhe varfëria. (Më kujtohet kur do të shkonin me një delegacion aktorësh në Paris, së bashku me Demir Hyskjen, nuk kishte as pardesy për të qenë. I dhashë timen që sapo m’a kishin sjellë motrat nga Italia).

– Them me vete, i dashur Remë: mos kërkoj shumë?ë More, le të më japin ushqimin, cigaret dhe kafetë, dhe le të mos më japin rrogë…por…kam dy djem për të rritur dhe arsimuar. Dikur nxirrja ndonjë lek duke luajtur në kitarre, fizarmonikë, violinë, me ndonjë orkestër të improvizuar. Hë! – buzëqeshi. – Ashtu si ty, më ka pëlqyer muzika dhe instrumentat që në fëmini. – Pastaj, tundte kokën me sytë ngushtuar midis rrudhave gjysëm të mbyllur duke ndjekur fjollën e duhanit që i përkëdhelte fytyrën e tij zeshkane e vinte erë athëtije kashte të djegur. Trishtimi lodronte në mikrofizionominë e tij…

Mëngjesi i 24 marsit, ishte i ftohtë dhe i lagësht. Ishte e dielë. Frynte erë veriore dhe lëkura e detit gri ishte kreshpëruar. Shkurret buzë bregut përkuleshin e fishkëllenin. Për mua ishte kohë ideale për krijimin e atmosferës të asaj që do të ndodhte. Çunat e Teatrit “Skampa” të Elbasanit, ishin gjithë qef që do të fillonin xhirimet. Sandri i veshur me një pardesy të bardhë, shalli i madh rreth qafës, syze, mustaqe të shkurtëra, dhe me atë kapelen me strehë të gjëra, të krijonte përfytyrimin e Marubit. Bukur. Ashtu, tek po vinte duke iu ruajtur erës që kërkonte t’i rëzonte kapelen, dhe ngritur përpjetë kindet e pardesysë, m’u duk i shpëqëndruar, disi i zymtë, si të kishte sjellë me vete retë e rënduar të perëndimit. Ishte brenda rolit të tij. I thashë Gavroshit të xhirojë. Ai kur e pa figurën e Sandrit të përlarë nga era, buzëqeshi i kënaqur dhe:

– Kamera! – Ka. – Sandri, ky aktor mahnitës, e nuhati që po xhirohej. Kishte një intuitë krijuese për ta patur zili. Afrohet ne plan amerikan(deri te gjunjët), vendos dorën strehë mbi sy, dhe vështron qiellin e murrmë me retë që arratisen drejt veriut. Diçka bëlbëzoi. Ç’farë i foli qiellit të rënduar. Vetëm ai e di. Mos vallë i trokiti yllësisë pa fund?

Mori kthesën te Torra, dhe frenoi përpara hotel “Vollgës”. Një turmë e hallakatur bubron e heshtur. Policia ka rrethuar vendin. Dritat e katit të parë janë të ndezuara. Nga dera e vqelqtë rrotulluese, hyjnë e dalin njerës me bluza të bardha. Në turmë dalloj disa persona të sigurimit. Përpara se të zbres, Josifi më zë për krahu dhe më shkund fort. – Mblidhe veten. Pi një grykë raki. Sandri…zëri iu drodh, e sytë iu skuqën. – Sandri, na la! Ka rënë nga kati i tretë i hotelit.

Më vetoi në tru një vegim i munguar prej kohësh! Gjithëçka që shihja përreth, ishte e akulluar krejt. Mos ishte ndonjë shajni, vagulli a çka tjetër, por jo. Vdekja e Sandrit?. Jo. Një pezm i pa ndjerë kurrë më pushtoi të gjithin. Me vështirësi çava kordonin e policëve që donin të më ndalonin. – Është regjisori i filmit. – foli në ecje Josifi duke çarë pëpara meje. Kam ngrirë përpara derës së qelqtë. Nuk më bëjnë këmbët të eci më tej. Josifi më mer për dore dhe…Përpara syve më verbon çarçafi i bardhë me bllama gjaku të mpiksur. Nga grupi i mjekëve-ligjorë u shkëput një grua e re. Erdhi drejt meje me pyetjen: – Ju jeni regjisori? – Pohova me kokë ngaqë më kishte mbytur thaurima. – Aktori Sandër Prosi, ka rënë nga kati i tretë, me pasojë vdekjen e menjëhershme. Shkaqet janë në shqyrtim e sipër. Mundet një maramendje, ose aksident pa paramendim… – Më tërhoqi më një anë, dhe më pshpëriti dhimbshëm. – Nga vizita që i bëra trupit të kufomës, konstatova se, mjerisht të gjitha organet e brendëshme ishin të molepsura, të rrënuara krejt. Përfytyro guackën bosh të një gjinkalle të mbetur në trung. – Po dëgjoja me kokën lëmsh pa kuptuar thuajse asgjë. Ndjeva pickimin e zemrës dhe mizërimin e trupit. – Bëjini një kanfora. – ishte fjala e fundit që dëgjova dhe rashë në një bodrum të heshtur e gjysmë terr, si në kthinat e Hadesit.

Po pse në këtë film Sandër, pse! Pse më përzgjodhe mua të përballem me këtë skenë të dhimbshme pa kthim. Ku t’a kërkoj te verbërin shkak? Vramendjet ishin të kota. Të ‘’pa thënat’’ që grumbulloheshin ndër vite, i përfytyrova si një shtjellë, llavë zjarri, të burgosur brenda kurmit që përzhitën gjithë qënien e tij të brishtë. E vërteta e trishtë, kishte marë pamjen e mosqënies, shkruan 360grade.al.

Sandrin tonë, krenarinë e skenës dhe ekranit, e vrau “E pathëna”. Sindroma e manisë persekutimit, si rrjedhojë e trandjes psiqike, shkaktuar nga shtimi i trysnisë politike dhe e rrethanave ngulfatëse të kohës. Varfëria, frika dhe pasiguria e vazhdimit të jetës në shurdhërinë e ndjenjave dhe emocioneve, e çuan aktorin e madh në braktisjen e jetës.”

(Fotot e fundit të Sandër Prosit një ditë para ndarjes nga jeta)

Vjosa.net