Prag “divorci” me Lacion, portieri i Kombëtares drejt skuadrës së Premier Ligës
Më kontratën në skadencë pas 5 muajsh, ai tani është i lirë për të nënshkruar marrëveshje të re me klub tjetër.
Thomas Strakosha është një hap larg ikjes nga Lacio dhe thuhet se ka disa admirues nëpër Europë. Në ditët e fundit klubi që ka qenë më i interesuar për portierin shqiptar është Uotfordi.
Sipas “Sportmediaset”, kontaktet kanë nisur dhe po ecin mirë pasi oferta në tavolinë është tërheqëse ekonomikisht. Shumë nga zgjedhja e Strakoshës do të varet nga qëndrimi apo jo i “Bletëve” në Premier Ligë.
Nëse Uotfordi bie në Championship, Strakosha nuk do ta pranonte domosdoshmërisht destinacionin.
Lajmi, megjithatë, që duhet të regjistrohet, është ai se Strakosha mund të largohet nga kryeqyteti falas, çka do të jetë një tjetër goditje për arkën e klubit.
Vetëm 27 vjeç, shqiptari mbetet një trashëgimi teknike dhe ekonomike nga e cila Lacio nuk diti të përfitojë./ PANORAMASPORT.AL