Portreti i ri zyrtar i Melania Trump: Ç’fshihet pas detajeve
Portreti i ri zyrtar i Zonjës së Parë të SHBA-së, Melania Trump, është publikuar dhe njerëzit nisën me komentet.
Fotoja është shkrepur në Shtëpinë e Bardhë një ditë pas betimit të bashkëshortit si president. Siç mund ta shihni, imazhi bardhë e zi tregon Melania-n e veshur me një kostum të zi, këmishë të bardhë, me duart e kuruara të mbështetura në tryezën që reflekton, ndërsa në sfond duket Monumenti i Washington-it.
Portreti është shkrepur nga fotografja belge Régine Mahaux, e cila ka bashkëpunuar me familjen Trump për më shumë se dy dekada. Mahaux, e cila gjithashtu realizoi portretin zyrtar të Melania-s në vitin 2017, u shpreh se ishte e nderuar që iu dha mundësia ta fotografonte sërish, duke e përshkruar Melania-n si një perfeksioniste të përfshirë thellësisht në procesin krijues.
Ekspertët kanë analizuar simbolizmin e portretit. Historiania e artit Gwendolyn DuBois Shaw nga Universiteti i Pensilvanisë vëren se, ashtu si në portretin e saj të parë zyrtar, Melania shfaqet me veshje klasike përpara një dritareje. Megjithatë, këtë herë, Monumenti i Washington-it është vendosur në mënyrë strategjike pas saj, duke e lidhur me fuqinë presidenciale. Mënyra si pozon, me majat e gishtave mbi tryezën reflektuese, sinjalizon gatishmërinë për të marrë një rol më aktiv, ndryshe nga mandati i parë ku Melania ishte disi më e tërhequr.
Shaw thekson se Melania është jashtëzakonisht e qetë para kamerës, pjesërisht sepse dikur ka qenë modele, por edhe për shkak të marrëdhënies së gjatë me fotografen, të cilës i beson për ta portretizuar në mënyrë të sofistikuar dhe të sigurt.
Portreti e vendos Zonjën e Parë në një pozitë më të fuqishme, megjithëse ka njëfarë distance dhe misteri, pasi qëndron pas tryezës.
Gazetarja e modës Ellie Violet Bramley vëren se portreti përçon një ndjenjë fuqie. Kostumi, shpatullat e theksuara dhe jakat e gjera kujtojnë stilin e viteve 1980. Kjo paraqitje e re është në kontrast me portretin e saj të parë në vitin 2017, ku dukej si më e butë dhe i buzëqeshte kamerës.
Vështrimi i drejtpërdrejtë i Melania-s te kamera përbën një tjetër ndryshim. Ndryshe nga portreti i mëparshëm apo pamja në ditën e inagurimit, ku një kapelë i mbulonte sytë, ky imazh nxjerr në pah kontrollin dhe misterin e saj.
Në përgjithësi, portreti sugjeron se Melania Trump, shpesh enigmatike në rolin e saj publik, po e shfaq veten qëllimisht, duke ruajtur një imazh të kujdesshëm dhe intrigues.
Anabelmagazine