Policia jep detaje/ Pse u ekzekutua rapsodi mirditor dhe kush është autori i krimit
Policia ka vënë në pranga një person të dyshuar si autor të vrasjes së dyfishtë të një të dite më parë në Lalm të vjetër të Lezhës. I arrestuari është Aleksandër Përdoda, 40 vjeç i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje rapsodin mirditor Kol Murrani dhe mikun e tij Preng Simoni.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për konflikte të vjetra pronësie mes palëve. Në kërkim është shpallur vëllai i autorit E.Përdoda i cili akuzohet se e ka ndihmuar për tu larguar nga vendi i ngjarjes dhe për të fshehur provat pas saj.
Policia thotë se ngjarja ndodhi në pyllin e fshatit Lalm-Lukaj të Lezhës. Pas gjetjes së trupave në ndihmë të Policisë vendore shkuan edhe grupe të FNSH-së së Shkodrës. 40-vjeçari i arrestuar është banues i fshatit dhe sipas policisë ka precedentë kriminalë të mëparshëm në fushën e krimeve ndaj personit. Tashmë ai do të përballet në gjykatë për akuzën e vrasjes.
“Nga tërësia e veprimeve dyshohet se ky shtetas i ka qëlluar me armë për arsye pronësie, pasi pretendon se pjesa ku ka ndodhur krimi është pronë e tij. Policia e Qarkut Lezhë vijon kontrollet intensive për gjetjen dhe kapjen e shtetasit E. Përdoda si dhe vijon kontrollin e territorit përreth për gjetjen e armës së krimit”, – thuhet në njoftimin e policisë. ©LAPSI.al