Policia e Kukësit heq bustin e Mbretëreshës Elisabetë nga sheshi
Mëngjesin e kësaj të hëne në sheshin para Pallatit të Kulturës në Kukës u pa një bust i Mbretëreshës Elisabetë II. Pamjet bënë xhiron e rrjeteve sociale pasi dihet lidhja që ka kjo zonë me Britaninë e Madhe për shkak të emigrimit.
Nuk dihej kush e vendosi bustin dhe shumica mendoi se ishte dorë e bashkisë. Në fakt duket se nuk ka qenë kështu. Mësohet se Bashkia e Kukësit ka kallëzuar ngjarjen në polici. Kjo e fundit e ka hequr bustin në mbrëmje.
Policia thotë se kërkesa ka qenë e kryebashkiakut Safet Gjici. Ai e ka konsideruar fyerje këtë bust për shkak të cilësisë dhe mënyrës se si ai u vendos. Para oficerëve të policisë gjyqësore Gjici ka thënë se “ky veprim kishte fyer komunitetin kuksian”.
Busti modest i Mbretëreshës Elizabeth është dërguar në ambientet e rajonit të Policisë së Kukësit. Efektivët janë duke bërë procedurat për të gjetur personat që e vendosën aty.
Duket se “fjalën” për bustin e Mbretëreshës Elisabeth do ta mbajnë vetëm hasjanët, të cilët kanë premtuar vendosjen e bustit që të ngrihet me paratë e “çunave të Londrës”.
©LAPSI.al