Po çfarë Neymar… ja kush e ka paguar lirinë me kusht prej 1 milionë euro për Dani Alves
Ka bërë shumë zhurmë lirimi nga burgu i Dani Alves, ndërsa është në pritje të vendimit përfundimtar, në gjyqin ku akuzohet për përdhunim. Për këtë akuzë braziliani u dënua në shkallë të parë me 4 vite e 6 muaj heqje lirie, por mundi të largohej nga burgu i Barcelonës pasi pagoi një garanci rekord prej 1 milion eurosh.
Të shumtë, duke pasur parasysh situatën e pasigurt financiare që po përjeton ish-mbrojtësi brazilian, ishin ata që pyetën se kush e kishte paguar shumën e nevojshme për të garantuar lirinë e përkohshme të ish-lojtarit të Barcelonës. E në këtë situatë, emri i Neymar u shfaq menjëherë (ai pagoi 150 mijë euro dëmshpërblim për vajzën). Me sa duket, megjithatë, sulmuesi i Brazilit nuk ka asnjë lidhje me këtë, por pas pagesës së garancisë për Dani Alves fshihet një operacion i vërtetë komercial.
KUSH KA PAGUAR LIRINË ME KUSHT TË DANI ALVES?
Asnjë mik, asnjë bamirës. Garancinë prej 1 milionë euro, që lejoi Dani Alves të dilte nga burgu, e ka paguar një revistë braziliane: “E ka bërë këtë në këmbim të një reportazhi që tashmë ishte në zhvillim e sipër”, zbuloi programi spanjoll ‘Fiesta’ në Telecinco. Një revistë, thuhet, “shumë e njohur në Brazil, e cila bën reportazhe të mëdha për njerëz të rëndësishëm në Brazil, por edhe në nivel ndërkombëtar”.
Në këmbim të pagesës prej 1 milionë euro, tregon më tej programi spanjoll, është kryer “një intervistë në formën e një videoreportazhi mbi historinë e Alves dhe për më tepër vetë futbollisti i kishte kërkuar Joana Sanz të merrte pjesë në këtë reportazh”.
lapsi.al