Plasi goma, rikonstruksioni i ngjarjes: vetëm nga targa u kuptua se ishte Diogo Jota

Diogo Jota dhe vëllai i tij, André, u dogjën për së gjalli brenda kabinës së makinës së aksidentuar. Gjurmët në asfalt të çojnë tek ajo që ka mbetur nga Lamborghini i marrë me qira nga Diogo Jota, e në të cilin ka humbur jetën bashkë me vëllain e tij, André Silva (edhe ai futbollist), për shkak të aksidentit të ndodhur natën e kaluar në kilometrin 65 të autostradës A52, në komunën Cernadilla pranë Zamoras (në komunitetin autonom të Castiglias dhe Leónit, në Spanjë), një zonë jo larg kufirit me Portugalinë. Gjurma e zezë e gomave deri tek vendi i përplasjes ishte një nga detajet e mbledhura nga Guardia Civil për të rindërtuar dinamikën e tragjedisë dhe për të kuptuar pse automjeti ka dalë nga rruga dhe më pas ka marrë flakë, duke u kthyer në një kurth flakësh vdekjeprurës për pasagjerët. Personeli mjekësor vetëm mundi të konstatonte vdekjen e tyre.

Rindërtimi i dinamikës: shpejtësi e tepërt dhe shpërthimi i njërës nga gomat
Në analizën e gjetjeve të para bie në sy versioni i dhënë nga policia spanjolle, sipas së cilës shkakun e tragjedisë e ka shkaktuar “shpërthimi i njërit prej gomave gjatë një faze parakalimi”. Sipas informacioneve ende të pavërtetuara, që vijnë nga GPS-i me të cilin ishte pajisur makina dhe që janë raportuar gojarisht nga kompania e makinave me qira, shpejtësia e tepërt dhe (ndoshta) vetë goma pak e shfryrë mund të kenë qenë shkaku i aksidentit.

Trupa të djegur, identiteti u zbulua përmes targës dhe dokumenteve
Nga bolidi ka mbetur vetëm karkasa, pamjet janë tronditëse. Trupat ishin të karbonizuar, por, përpara se të kishte konfirmim nga analizat forenzike, u arrit të identifikoheshin falë targës së automjetit, dokumenteve të gjetura brenda kabinës dhe njohjes së disa sendeve personale që iu treguan gruas së Jotës, Rute Cardoso. Dhjetë ditë më parë i kishin premtuar njëri-tjetrit dashuri të përjetshme duke u martuar, sot gruaja gjendet e ve dhe me tre fëmijë për të rritur, të lindur nga lidhja me ish-futbollistin e Liverpool-it (tifozët i kanë kërkuar klubit të tërheqë fanellën) dhe të kombëtares luzitane (“nuk ka kuptim”, mesazhi i kapitenit Cristiano Ronaldo).

Njohja dramatike e gruas: Diogo në udhëtim drejt Anglisë
Përveç identifikimit rrëqethës nga bashkëshortja, gruaja ka sqaruar gjithashtu pse bashkëshorti dhe kunati ndodheshin në udhëtim në atë orë dhe ku ishin nisur: kishin planifikuar të kalonin natën në Benavente (qendër e vogël gjithashtu në territorin e Zamora) dhe të vazhdonin udhëtimin drejt Santander (në Cantabria), ku Diogo Jota do të imbarkohej drejt Portsmouth (në Angli). Alarmin e dhanë disa të afërm, të dyshuar dhe të shqetësuar nga mungesa e mbërritjes në destinacion. Ankthi për humbjen e çdo kontakti u kthye në agoni njëkohësisht me sinjalizimet që mbërritën në sallën operative të Zjarrfikësve të Castiglias dhe Leónit: në të gjitha thirrjet specifikohej se, si pasojë e një aksidenti, një automjet ishte përfshirë nga flakët.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Diogo Jota (@diogoj_18)

lapsi.al