Plas një çështje “biftekësh” në mes të festës së Brazilit, ndërhyn… prifti

At Hulio Lançeloti, pasardhës i italianëve të emigruar në Brazil, është një prift me 1 milion e 200 mijë ndjekës në “Instagram”. Ai është famullitari i një kishe në Moka, lagjja më italiane e Sao Paulos. Gjithmonë në anën e të varfërve dhe të sëmurëve…

Një prift rrugësh në sensin më të mirë… Në llogarinë e tij, at Lançeloti sulmoi lojtarët e “Seleçaos”, të cilët pas fitores ndaj Zvicrës, së bashku me Ronaldo “Fenomenin”, shkuan për darkë në Doha, në restorantin e shefit turk, Nusret Gokçe, i njohur si “Salt Bae”. Një shef kuzhine që gatuan mish me fletë të arta dhe që e servir në feta me lëvizje skenografike. Çmimet janë konsekuente, një fileto ari mund të kushtojë minimalisht 300 euro.

At Lançeloti publikoi videon e mbrëmjes festime me Eder Militaon, Viniciusin, Gabriel Zhezusin e Ronaldon, duke mos pasur aspak ndjesi pozitive: “Ndërsa miliona njerëz vdesin nga uria në mbarë botën, kjo video ngjall indinjatë dhe trishtim. Pse kaq shumë ekspozim?”.

Për një darkë te “Salt Bae” mund të shpenzohen mbi 1000 euro secili, ndërsa në Brazil paga minimale mujore është mesatarisht 250 euro. Videoja e mbrëmjes, e ripostuar nga prifti i Sao Paulos gjeneroi mbi 1 milion shikime dhe mijëra komente kundër ngjarjes së një luksi të tillë.

JO VETËM DARKA – Një foto e Kasemiros, në një konferencë shtypi me një orë me vlerë mbi gjysmë milioni dollarë në kyçin e dorës së majtë u bë virale në Brazil. Një “Audemars Piguet Royal Oak Jumbo Extrathin Openworked 16204OR”, sigurojnë ekspertët që e zmadhuan dhe analizuan imazhin. Por diçka e ngjashme u pa edhe në mbrëmjen te “Salt Bae”, me Eder Militaon, që kishte në pulsin e tij një “Rolex Daytona Rainbow 116595”, me vlerë 574 mijë dollarë. At Lançeloti postoi një mendim nga Sadio Mane, sulmuesi senegalez i Bajernit të Mynihut:

“Pse duhet të kem dhjetë Ferrari, njëzet orë dhe dy avionë? Kam ndërtuar disa shkolla dhe një stadium. Ne ofrojmë ushqim, veshje dhe këpucë për njerëzit në varfëri ekstreme. Preferoj që njerëzit të marrin pak nga ajo që më ka dhënë jeta”. Demagogji e vogël? Ndoshta, por ndoshta at Lançeloti ka të drejtë në një pikë: Pse të lëvdojmë luksin?

Një minimum maturie nuk do të dëmtonte, por kjo vlen për të gjithë ata që janë pjesë e sistemit të yjeve sportivë, jo vetëm për lojtarët e Brazilit. Por ndoshta, sikur rrjetet sociale të përdoreshin në mënyrë më pak diskrete, do të ishte diçka më normale, duke parë diferencat e shumta ekonomike që ekzistojnë sot në botë.

PANORAMASPORT.AL