I pezulluan këngën në Sanremo, Ermal Meta vendos të flasë: Jemi shumë keq…

Ermal Meta dhe Fabrizio Moro janë pezulluar nga gara e Festivalit të Sanremos, “në pritje të thellimit të shqyrtimeve mbi atë që presupozohet si shkelje e rregullores së Festivalit nga kënga e tyre”, me titull “Non mi avete fatto niente”.
Organizatorët e Festivalit, që duket se kanë miratuar vendimin e Drejtorit artistik,Claudio Baglioni, kanë vendosur ta pezullojnë performancën e dy artistëve që parashikohej sot në mbrëmje.
Në vend të tyre, pas një shorti të hedhur në prani të një noteri, do të marrë pjesë Renzo Rubino, që paraprakisht duhej të performonte ditën e enjte.
Mediet italiane aluduan fillimisht për plagjiaturë, por kjo u hodh poshtë shumë shpejt falë reagimit të zv.drejtorit të Rai Uno, Claudio Fasulo.
“Nuk bëhet fjalë për plagjiaturë. Kjo sepse autori është i njëjti dhe rregullorja parashikon mundësinë e përdorimit të teksteve të autorëve të tjerë në një masë jo më të madhe sesa 30%. Në këtë mënyrë, kjo këngë ka parametrat e mjaftueshme për të qenë një këngë e re me të gjitha efektet”, do të shprehej fillimisht zëvendësdrejtori i Rai Uno, Claudio Fasulo.
Vetëm pak çaste më vonë, sipas asaj që shkruan agjencia e lajmeve ANSA, gjatë konferencës për shtyp të tij, ai do të saktësonte se “bazuar mbi elementët që vihen në diskutim do të bëhen vlerësime të mëtejshme nga studioja ligjore e Rai-t”.
Në lupën e “hetimit” është vënë pikërisht ngjashmëria në një pjesë të tekstit, me këngën “Silenzio” të Ambra Calvanit dhe Gabriele De Pascalit, që u prezantua në edicionin e “Sanremo”-s për të rinjtë, në vitin 2016. Edhe kjo këngë kishte për autor Andrea Febo, i njëjti që ka shkruar edhe tekstin e asaj të Metës dhe Moros. Por pas këtij vendimi ka thyer heshtjen vetë këngëtari shqiptar, Ermal Meta. “Është koha për të folur”, nis statusin e tij Meta ku rrëfen të vërtetën e tij dhe si ndjehet pas gjithë kësaj zhurme.”Kemi dëgjuar të flitet për plagjiaturë kundër këngës sonë të Sanremos, dhe mollë sherri është një këngë e shkruar nga Andrea Febo (bashkëpunëtor i vjetër i Fabrizio) i cili u paraqit Sanremon e të rinjve 3 vjet më parë”. Ndër të tjera ai thotë se Fabrizio, Andrea dhe unë, të tre së bashku kemi shkruar një këngë të re me një kuptim krejtësisht të ndryshme. Plagjiaturë do të thotë kopjim, por është absurde e qesharake duke pasur parasysh se Andrea Febo shkroi për mua dhe Fabricio këtë këngë për Sanremo. Me këtë këngë më shumë sesa të marrim pjesë në Festival, donim të flisnim për paqen. Jemi shumë keq për atë që po ndodh e jemi të sigurt se gjithçka do të shkojë mirë.
Një përqafim, Ermal.”