Petrit Malaj: Nuk kisha pasuri t’u lija fëmijëve, janë me kredi
Aktori dhe pedagogu i njohur në Universitetin e Arteve në Shqipëri, Petrit Malaj ka treguar në emisionin “Aldo Morning Show” se pasuria më e madhe që ka marrë nga prindërit e tij është dashuria për vendin dhe për njerëzit, ndërsa zbulon se nga pikëpamja financiare, mundësitë e tyre kanë qenë të pakta.
Ndër të tjera, aktori tregon se fëmijëve të tij ai u ka lënë dashurinë për dije, ndërsa është krenar që ka arritur t’i shkollojë, pavarësisht se ata nuk studiuan art sikurse ai. “Unë jam i kënaqur që investimi që kam bërë për fëmijët e mi nuk më ka shkuar kot.
Shkollimi që ata morën njëri ekonomik, e tjetri juridik nuk ka shkuar kot, ata janë në punë, përpiqen, bëjnë gjithçka. Ne prindërve na takon të jemi pas tyre në kuptimin e shtytjes dhe kur kanë nevojë në një moment të caktuar për ne, por ata e kanë veten në dorë për gjithçka. Unë zgjohem i qetë në mëngjes, ata janë bërë me fëmijë.
Por çfarë ka ndodhur tjetër?! Pa dyshim që ata kanë kredi, jetojnë në një shtëpi të tyre. Kanë marrë kredi sepse babai i tyre nuk e kishte atë mundësi që t’u linte ndonjë shtëpi apo pasuri të konsiderueshme që ata ta trashëgonin më tej. Megjithatë, unë përpiqem që fëmijët e mi ti marr, se ka ardhur një moment që nuk njohin kushërinjtë e tyre”- u shpreh profesor Petrit Malaj në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan.