Pesë vjet pas aksidentit horror të Schumacher, e bija rrëfen gjendjen e tij
Michael Schumacher vuan ende nga një aksident tragjik që pësoi teksa bënte ski në Meribel të Francës, në vitin 2013, prej të cilit duket se nuk është rikuperuar kurrë plotësisht, por lutjeve të fansave të tij, familja iu është përgjigjur me një heshtje totale në respekt të privatësisë.
Gina-Marie, 21 vjeç, flet për herë të parë në një intervistë për rrjetin televiziv gjerman “NDR”, mbi sukseset personale në kalërim. Intervista e plotë do të transmetohet sonte në mbrëmje, në orën 21:00 në Gjermani, por e bija e legjendës së Formulës 1 rrëfen gjithçka mbi pasionin e saj dhe diçka në lidhje me të atin.”Kam shkuar për gara kart me babain për një sezon, por nuk më pëlqeu. Preferova më mirë kuajt”, thotë ajo ndër të tjera.
Miliona fansa të pilotit gjerman anembanë botës kanë kryqëzuar gishtat prej vitesh, në kërkim të një informacioni me gjendjen shëndetësore të tij. 7 herë kampioni i botës në Formulën 1 pësoi dëmtime katastrofike në kafkën e kokës, pasi u rrëzua teksa bënte ski në alpet franceze në fundin e vitit 2013. 49-vjeçari është nën përkujdesjen e familjes së tij, në shtëpinë pranë liqenit të Gjenevës, në Zvicër, ku vijon rikuperimin pas aksidentit horror.
Që prej atëherë, gjendja shëndetësore e legjendës së automobilizmit mbetet një mister, pasi mungojnë informimet e përditësuara, për të cilat stafi i tij menaxherial shprehet se “nuk është çështje e interesit publik”.
Bashkëshortja e tij Corinna, 46 vjeç, i biri 18-vjeçar dhe e bija, rrallëherë kanë folur mbi gjendjen e tij që prej aksidentit.
Megjithatë, në një postim të rrallë në mediet sociale vitin e kaluar, Gina-Maria shkroi një mesazh frymëzues për fansat, duke mbajtur ende gjallë shpresat për rikuperimin e tij: një pikturë liqeni të qetë nga sipër kalit.
Mesazhi i saj në rrjetin social ishte: Në jetë ka vetëm gëzime, të dashurosh dhe të dashurohesh. Vazhdo të luftosh!
Një postim që mori menjëherë vëmendjen e fansave, që mori mbi 1.800 pëlqime dhe u pushtua nga mesazhet mbështetëse pas daljes nga koma të të atit.
Kujdestarët e Schumacherit vazhdojnë ta mbajnë sa më shumë private të munden çështjen, ndërsa menaxherja Sabine Kehm ka thënë se familja ka qenë gjithmonë mirënjohëse për mbështetjen që i kanë dhënë fansat.
“Ajo që mund të them është se familja me të vërtetë i vlerëson mesazhet inkurajuese të fansave të tij. Njerëzit e kuptojnë shumë mirë situatën e tij shëndetësore, gjë që nuk mund të ndahet me të gjithë publikun”, shkruan Top Channel.
Schumacher është një nga pilotët më të mëdhenj të historisë së Formulës 1, 7 herë kampion bote në vitet 1994 dhe ’95 me Benettonin, si dhe 2000-2004 me Ferrarin. Ai ruan ende rekordet e më shumë titujve, më shumë garave të fituara, më shumë podiumeve, disa xhiro të shpejta dhe pikët e grumbulluara në një sezon gjatë karrierës së tij të parivalizueshme.