Pesë persona në pranga për Inceneratorët, mes të arrestuarve edhe Arben Dervishi: Urdhër-arrest edhe për Mirel Mërtirin

Mes pesë personave të arrestuar për “Inceneratorët” është edhe zëvendëspresident i Shoqatës së Ndërtuesve, Arben Dervishi. Po ashtu, ABC mëson se urdhër-arrest është lëshuar edhe për biznesmenin Mirel Mërtirin, por ky i fundit nuk është arrestuar ende.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme ka lëshuar 11 urdhër arreste për aferën e inceneratorëve, konkretisht për inceneratorin e Fierit.

Gazetarja Xhensila Kodra bëri të ditur për Abcnews.al se 5 persona kanë rënë në pranga deri tani, ndërsa për 5 të tjerë ka informacion që ndodhen jashtë territorit shqiptar dhe janë në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë, një person tjetër është në kërkim brenda vendit.

Operacioni është në vijim e sipër dhe janë duke u kontrolluar disa banesa.

Deri tani për aferën e inceneratorëve kanë rënë në pranga ish-zyrtarë të lartë si ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputeti socialist Alqi Bllako.  Ndaj Kokës janë 2 masa ‘arrest me burg’, për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit. SPAK pretendon se Koka ka përfituar përmes ryshfetit 5 milionë eurosh për ndërtimin e 2 inceneratorëve.

Së fundi, Bllako u rikthye në qeli, pasi SPAK ka ankimuar vendimin për lirimin e tij, duke kërkuar rikthimin e tij në burg. Bllako ishte lënë në masën “arrest shtëpie” për akuzat e korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me koncensionin e inceneratorit të Fierit vetëm 6 muaj pasi u burgos. Masa e sigurisë për Bllakon u ndryshua pas pretendimeve se gjendja familjare është e rënduar, ka fëmijë të mitur për t’u kujdesur dhe se hetimet për dosjen janë drejt fundit. /abcnews.al/