Përse Blendi Fevziu nuk e intervistoi kurrë Nexhmije Hoxhën?
Nexhmije Hoxha, bashkëshortja e ish-diktatorit Enver Hoxha u nda ditën e djeshme nga jeta në moshën 99-vjeçare në banesën e saj, Laprakë.
Ditën e sotme, Hoxha u përcoll për në banesën e fundit.
Sakaq, nga ana tjetër në media tema kryesore ka qenë pikërisht tashmë e ndjera, Nexhmije Hoxha, si një prej emrave më të rendësishëm të historisë së komunizmit në vend.
Blendi Fevziu, gazetari i mirënjohur edhe pse ka intervistuar shumë prej emrave më të rendësishëm të këtij vendi, në karrierën e tij gazetareske nuk intervistoi kurrë Hoxhën, për këtë kishte vendosur vetë ai.
Sipas tij, Hoxha kur intervistohej nuk reagonte në përgjigje dhe për këtë kishte marrë vendimin që të mos e kishte asnjëherë në emision. Gjithashtu Fevizu shprehet se ajo nuk kishte reflektuar dhe nuk kishte shprehur pendesë pas rënies së komunizmit dhe nisur nga kjo, nuk kishte pasur ndonjë kuriozitet për t’i drejtuar pyetje.
Në studion e lajmeve të “Ora News”, ai tha se kjo gjë ka ndodhur në përgjithësi me drejtuesit komunistë, një fare shkëputje nga realiteti dhe pothuaje asnjë prej tyre nuk ka kërkuar falje:
“Asnjë nga drejtuesit komunistë në të gjithë lindjen nuk shprehu pendesë. Dy persona shprehën pendesë publike: Bedri Spahiu dhe e dyta ka qenë Liri Belishova. Asnjë person tjetër nuk kërkoi falje. Ju shihni fundin e Çausheskut, kur gjithë Rumania ishte në rrugë kundër tij, doli dhe foli për forca të errëta. Diktatorët e humbin sensin e realitetit. Një reflektim indirekt ka pasur Ramiz Alia. Kur e kam pyetur Ramizin se në cilën periudhë do të doje të jetoje, më tha se do të doja të zgjidhja këtë tani. Këtë po e marr si një lloj pendese.”