Përlot Stefi Prifti: Ju dua shumë vajzat e mia, por nënën s’ua zëvendësoj dot kurrë

Kantautori i njohur Stefi Prifti i uroi nënat dje për 8 Marsin me një nga këngët më të bukura të tij dhe Endrit me titull “U dogja mrekullisht”. Bashkë me postimin e këngës ai shkroi dhe një status, ku tregon historinë e njohjes me gruan Marina që s’jeton më, dhe bashkërrugëtimin e tyre edhe profesional, pasi ajo i shkruante tekstet e këngëve të tij. Ja çfarë tregon Stefi për dashurinë e tij të vërtetë në statusin më poshtë: “Ishim studentë..! Një lidhje ikte, zëvendësohej…! Deri sa erdhi dashuria e vërtetë për mua, Marina Xhavara Prifti.Kjo këngë ishte diçka ndërmjet para dhe pas njohjes sime me Marinën! Ose, ishte diçka që ndodhte paralel me njohjen…! Nuk e di me saktësi.
Muzikën e shkrova me një frymë dhe ja u tregova edhe shokëve të mi, Romeo Mano dhe Artan Selimaj dhe natyrisht do ia tregoja edhe Marinës sime, dashurisë së sapo lindur në Pallati i Kulturës Studenti .Për më tej, duhej teksti dhe ishte rasti i bashkëpunimit të parë me, (më pas), gruan time Marina. Ishte muzikë shumë e ndjerë dhe përgjigjja e Marinës dhe disa studentëve (shokë të saj), shumë të talentuar tek Fakulteti Gjuhë-Letërsi në Tiranë- Genta, Sajmiri, etj (mbas disa përpjekjeve të tyre), se nuk mundeshin të shkruanin një poezi bindëse për këtë melodi kaq të ndjerë dhe të pastër. Më në fund erdhi sugjerimi prej tyre. Majakovski i madh! Ai, vetëm Ai ka shkruar në këto përmasa dhe thellësi – më thanë. Konkretisht, poema e madhe “Maria”, prej së cilës u përshtatën më pas vargjet e kësaj kënge! U dogja mrekullisht!
Sot është 8 Mars! Në përgjithësi nuk kam qenë shumë i vëmendshëm në ditë dhe festa të caktuara.. dhe më vjen keq për këtë gjë!
Dhe vazhdoj të mos jem! Por, një postim i vajzës sime të vogël Joana në Instagram, shqetësimi i qartë i vajzës së madhe Maria në telefonatën e fundit, për mungesën ekstreme të mamit të tyre (të cilën unë nuk e zëvendësoj dot kurrë), më bëri të shkruaj disa kujtime të miat. Maria dhe Joana babi ju do shumë! Gëzuar të gjitha nënat! U dogja mrekullisht”, përfundon statusin ai. Natyrisht që shumë ndjekës janë prekur nga fjalët e ndjera të muzikantit për gruan që u nda nga jeta para kohe.