“Përjetova shqetësime që s’i kam provuar kurrë”- Manjola Nallbani fiton betejën me Covid-19, por rrëfen pasojat e tij

Disa javë më parë, Manjola Nallbani zbuloi se ishte infektuar me Covid-19 deh se po qëndronte e izoluar në shtëpi.

Pak orë më parë, ajo zbuloi se e ka fituar betejën me virusin, por nuk ka qenë fare i lehtë.

Nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në Instagram, Manjola rrëfeu eksperiencën e saj me koronavirusin, duke theksuar se ka përjetuar shqetësime që nuk i ka pasur kurrë nga një grip i thjeshtë.

Përveç shqetësimeve fizike, këngëtarja shkroi se ka pasur edhe probleme psikologjike, pasi gjatë gjithë kohës ishte e trembur.

Ajo tregoi se mes gjithë kësaj kishte marrë edhe diçka pozitive, pasi kishte kuptuar se sa shumë njerëz e duan.

“Kjo buzëqeshja ime me gjithë shpirt është për ju.

Së pari, duke u nisur nga çfarë kalova, dua t’ju këshilloj sinqerisht të bëni kujdes e të ruani veten.

Shumë e kalojnë si një grip! Për mua nuk ishte i tillë! Përjetova shqetësime që nuk i kam provuar kurrë nga një grip i thjeshtë!

Jo vetëm për shqetësimet fizike, po sidomos gjendja psikologjike, sepse fakti që është i pabesë dhe nuk di çfarë të sjell as minuti, të tremb sigurisht!

E vetmja gjë e mirë ishte që kuptova sa shumë njerëz paskam pasur që më kanë treguar çdo ditë shumë dashuri e kujdes!

E çmoj dhe më tepër, sepse kjo është një kohë e vështirë për të gjithë!

Ju falënderoj secilin nga ju nga zemra!”, shkroi Nallbani.