Përjetësisht elegante, koleksioni i ri i fustaneve të nusërisë të Ema Savahl do t’ju lërë pa fjalë
Ema Savahal Couture nuk është një emër i padëgjuar për publikun shqiptar e mbi të gjitha për lexuesin e Living, lexon (Ema Koja Savahl, e preferuara e yjeve të Hollivudit; Filozofia që e mban gjithmonë të re 51-vjeçaren, Nëpër hapat e suksesit të Ema Savahl (Koja), Kur moda sjell shpresë për jetën , Koleksioni i jashtëzakonshëm vjeshtë-dimër 2020-2021 i Ema Savahl).
Pas kësaj marke të njohur luksi fshihet stilistja e mirënjohur Ema Koja, një nga disenjatoret që ka pushtuar jo vetëm tregun amerikan, por edhe atë botëror. Karriera e saj ka shënjuar arritje të mëdha duke bërë art të vërtetë në fushën e modës, ashtu si së fundmi, ajo ka ditur të sjellë një koleksion të rrallë me fustane nusërie.
E bukura e këtij koleksioni qëndron se për realizimin e tij kanë punuar një grup shqiptar, si disenjatorja Merita Halili, fotografi Klevin Halili e deri tek i biri i Emës, modeli Kade Lahner Koja.
Në një intervistë për “Living” ajo na rrëfen përse vendosi të bënte një koleksion me fustane nuses : “ Biznesi im prej pandemisë është transformuar, ashtu si shumë biznese të kësaj fushe. Fatkeqësisht, shumica e tyre u mbyllën dhe unë kam mbetur e vetmja në Miami që vazhdon të punojë. Gjatë kësaj kohe kam patur shumë kërkesa për fustane nusesh, si dhe për ato shoqërueset. Kjo ishte një aryse. Por, këtë vit bashkëpunimi në atelienë time me shqiptarë më dha një hov tjetër, më bëri që fantazia ime për të bukurën të arrinte majat. “
Prezantimi i fustaneve të nusërisë këtë vit ka patur një koncept të ri. Ato nuk mund të shërbejnë vetëm për atë ditë, por mund të bëhen pjesë e gardërobës edhe për një event tjetër të radhës. Koleksioni dominohet nga fustane të lehta, komode, të cilat mund të modifikohen kollaj për të krijuar një fustan të dytë, i cili mund të vishet në çdo kohë.
Për Emën një fustan nusërie nuk duhet të jetë vetëm një fustan nusërie për ditën e madhe. Ai duhet të jetë në gardërobën tonë për të qenë në varësi të kërkesave tona.
Me një imagjinatë pa kufi dhe shije të hollë, në këtë koleksion ajo sjell linjën klasike, pa kohë që i reziston çdo trendi të ri, duke e shndërruar këtë fustan, në një fustan timeless.