Përfundimi i misionit/ 30 mjekët dhe infermierët shqiptarë gjobiten me nga 500 euro për festën me birra dhe muzikë
Pak orë përpara mbylljes së misionit në Itali, grupi i parë i mjekëve dhe infermierëve kanë kryer një veprim, për të cilin janë vënë në krye të faqeve të para të medias italiane.
Gazeta “Corriere della Sera” shkruan se ata kanë festuar mbylljen e misionit me muzikë dhe birrë, por për këtë arsye janë gjobitur. Ata kanë thyer karantinën, por edhe janë grumbulluar më shumë se numri që lejohet.
Misioni i tyre është mbyllur me birra dhe festë të çmendur, por edhe me një gjobë të majme prej 500 euro. Kësisoj, grupi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë që u dërguan në Itali e kanë mbyllur misionin e tyre në mënyrën më të keqe.
Shqiptarët u denoncuan për shkak të festës dhe zhurmave në hotel në Breshia. “Ata vendosën të festojnë ditën e fundit të punës dhe kthimin në atdhe me një festë në njërën nga dhomat e hotelit: kjo nuk kaloi pa u vënë re nga pronari i hotelit në Breshia, ku po qëndronte ekipi i mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, kështu që brenda pak minutash, forcat e policisë mbërritën në vendin e ngjarjes dhe i gjobitën dhe i paditën, pasi disa shfaqën rezistencë” – shkruhet në mediat italiane.
“Nuk do të jetë një histori me fund të lumtur për personelin shëndetësor që mbërriti në Itali 29 marsin e shkuar për të ndihmuar spitalet lombardë në vështirësi. Ardhja e tyre ishte përshëndetur me entuziazëm jo vetëm nga institucionet, por edhe nga qytetarët”, thuhet në media.
“Për fat të keq, disa nuk arritën të zbatojnë rregullat e bllokimit dhe shkuan në festime. Në fakt dhjetë prej tyre u gjetën në një dhomë hoteli në Breshia. Mes tingujve të muzikës dhe birrës ata kishin filluar festimet. Por gjithçka përfundoi kur erdhi policia dhe gjobiti të pranishmit. Gjërat u komplikuan kur disa prej mjekëve reaguan keq ndaj gjobave”, vijon portal italian. Dy prej tyre, janë paditur për rezistencë dhe fyerje. Policia ka nisur hetimet për episodin dhe do të hedhë dritë mbi incidentin.
Top Channel