Përfituan nga shqiptarja me radhë në garderobën e lokalit: mandat arresti ndërkombëtar për Robinhon
Prokuroria Publike e Milanos i ka përcjellë Ministrisë së Drejtësisë kërkesën për ekstradim dhe urdhrin e arrestit ndërkombëtar për Robinhon, i cili u dënua përfundimisht së bashku me një shok të tij më 19 janar me 9 vjet burg për dhunë seksuale në grup ndaj një 23-vjeçare shqiptare, e cila u dhunua në një klub në kryeqendrën lombarde natën e 22 janarit 2013. Aktet ndaj ish-futbollistit dhe shokut të tij, të dy në Brazil, janë firmosur nga prokurorja Adriana Blasco. Duket e qartë se të dy nuk do të dorëzohen, sepse Kushtetuta braziliane nuk lejon ekstradimin e qytetarëve të saj.
Me kërkesën e ekstradimit dhe urdhrin e arrestit ndërkombëtar që autoritetet italiane do t’u dërgojnë tashmë atyre braziliane, në rast se ish-sulmuesi i Milanit vendos të dalë nga vendi, rrezikon të arrestohet. Ditët e fundit ishte regjistruar edhe dosja për urdhrin e ekzekutimit të dënimit ndaj ish-lojtarit, Robson de Souza Santos, i njohur si Robinho, 38 vjeçar dhe mikut të tij Ricardo Falco.
Gjykata e Lartë ka bërë përfundimtare nëntë vitet e vendosura nga Gjykata milaneze, pas hetimit të prokurorit Stefano Ammendola, dhe të konfirmuara nga Gjykata e Apelit më 10 dhjetor 2020. Për ish-sulmuesin dhe për shokun e tij gjatë hetimeve nuk ishin lëshuar masa sigurie, ndërsa personave të tjerë, të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në dhunë, nuk janë gjetur. Për këtë histori, Santos, skuadra braziliane për të cilën lojtari ishte rikthyer të luante pas eksperiencave të tij me Manchester Cityn dhe në Turqi, kishte vendosur të pezullonte kontratën me Robinhon, pasi në mediat braziliane ishin publikuar përgjimet e procesit.
Sipas hetimeve, ish-ylli brazilian e kishte bërë vajzën të pinte deri në atë pikë sa ta linte të pavetëdijshme dhe më pas grupi e kishte përdhunuar me radhë, pa mundur që ajo të kundërshtonte, në gardërobën e një klubi nate në Milano, ku e reja kishte shkuar për të festuar ditëlindjen. Në arsyet e dënimit të shkallës së dytë, Gjykata kishte shkruar se ish-sulmuesi dhe “bashkëpunëtorët” e tij (katër të tjerë të pagjurmueshëm) kishin shfaqur “përçmim të veçantë” për “viktimën që u poshtërua brutalisht”.