Për teatrin e të gjithëve dhe gjithçka që po shembet para syve tanë

Doja të shkruaja që dje por nuk munda… Lëmshi që kisha në stomak nuk po më linte t’i përmblidhja nëpër fjali të gjitha mendimet që kisha në kokë. Thjesht fola me njerëzit që kishin të njëjtën ndjesi si unë në mesazhe Instagrami, grupe whatss appi, bashkëshortin tim i cili më tha që atë natë kur “Këshilli Bashkiak” vendosi shembjen e Teatrit: “Do ta prishin të dielën, mbaje mend… dhe pas kësaj do fillojnë të lirohen masat”. Nuk është “Nostradamus” e as nuk njeh askënd në atë këshill thjesht jeni kaq të parashikueshëm… Çfarë nuk kam lexuar e parë këto ditë, jam prekur, jam acaruar, kam vënë duart në kokë nga disa komente dhe kam pyetur veten: “E kanë seriozisht apo është dikush tjetër që ju merr duart dhe shkruan për ta?”

Nuk i jam hedhur në fyt askujt që mendon ndryshe nga unë dhe shumë do kisha dashur të mi kishit kursyer idiotsitë që ishte teatër kartoni dhe ra sa e preku fadroma. Vërtet? Pse nuk ra nga tërmeti që la pa shtëpi qindra shqiptarë? Përkundrazi, qëndroi stoik dhe priti…”ditën e egzekutimit të tij”. Nuk e di ku i dëgjoni këto fjalët ironikosarkazmike-kapslliktore po edhe sikur të ishte shembur vetë do më vinte keq njësoj. Thjesht do kisha shpresuar që në atë “botën time” perfekte për njerëzit që mendojnë se Tiranës i humbi një copëz histori, të mos na çanit shumë kokën me fjalët: “do bëhet një tjetër më i bukur”. Ishte i bukur, shumëëëëëë i bukur…Ishte plakur hijshëm siç thuhet në kohët moderne të botoxit. Mes shumë gjërave që lexova dje, ishte edhe një shkrim i Aurel Plasarit i vitit 2018. Qava edhe një herë…ashtu siç qava për fjalët e mikes sime Rozana Radi kur tha se në atë teatër është shpirti i babait të saj dhe emrat e artistëve në pemët e oborrit i ka shkruar pikërisht ai, Ferdinand Radi.

Siç qava kur pash të dhunohen të rinj që po protestonin, ndër ta edhe vëllai i shoqes sime i shtrirë në tokë nga 8 policë. Eshtë student në Akademinë e Arteve, studion regji dhe nuk ka lidhje me asnjë krah politik. As unë! Nuk po sulmoj e as nuk jam bërë palë me askënd thjesht po shkruaj atë që ndiej. Se në Shqipërinë tonë të dashur hallemadhe nuk ka rrugë të mesme: “Ose duhet të jesh dakort me UDHEHEQJEN në çdo vendim ose je i shtyrë nga opozita për të protestuar”. Nuk jam asnjëra nga këto! Jam një njeri që kam lindur në Tiranë dhe e dua, shumë madje. Dhe çuditem se si shumë “artdashës” paskan qenë dakort të mos konsiderohej të kthehej në Muze, qoftë edhe për historinë e krijimit dhe vitet që kishte mbi shpinë, jo vetëm për artistët që janë ngjitur në atë skenë. Ai teatër nuk ishte vetëm i aktorëve, ishte i të gjithëve ne madje edhe i atyre që nuk kanë parë kurrë një shfaqje.

Me çfarë logjike kembngulni që ishte i vjetër dhe duhej prishur? Po le ta zhduki Roma Colosseum se ca gurë që si hyjnë në punë askujt ka dhe boll i vjetër është… Më vjen të qesh kur mendoj se si mbajta radhë dy orë për të parë atë dhomëzën e vogël ku ka jetuar Anne Frank, pagova edhe 15 euro. Nejse, dua të them që më vjen keq që jemi kaq të pa fuqishëm dhe nuk respektohet mendimi i askujt. Jam e sigurt që shumë njerëzve u ka ardhur keq, madje edhe atyre që JANE PER NJE TEATER TE RI DHE MODERN. Të gjithë jemi për teatër të ri dhe modern, madje për dhjetra teatro por jo me këtë çmim.

Dje nuk u shemb vetëm teatri dhe historia që ai kish por u shembën qindra shpresa se POPULLI ESHTE SOVRAN. U shembën shpresat se dikush që ka një karrige do të dalë e të thotë mendimin e tij pa lëpirë askënd, të thotë atë që ndjen edhe pse do ti kushtonte largimin nga posti sepse jam e sigurt që shumë prej atyre që aprovuan qoftë edhe në heshtje, janë shembur përbrenda bashkë me tetarin. Nuk dua ti hyj fare historisë se çfarë do ndërtohet tani aty, nuk ka më vlerë… Tani sinqerisht nuk më plas fare se çfarë do të ndërtohet qoftë ky edhe projekti që do të na fusë në “Guinness”, që do shihet nga hapësira për shkëlqimin dhe madhështinë e tij… Kur të më duhet histori do shkoj jashtë Shqipërisë, atje ku edhe kampet e përqëndrimit kthehen në Muze edhe pse në themele kanë makabritetet më çnjerëzore…

Nga Jonida Aliçkolli