Pasuria e Albin Kurtit/ Jeton me qira në Prishtinë, banesa në Norvegji në emër të bashkëshortes

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i ka shtuar 250 euro në kursimet e tij krahasuar me një vit më parë, sipas deklarimit të pasurisë të cilin e ka bërë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Kurti i ka deklaruar 1 mijë e 800 euro të gatshme kursime nga paga, ndërsa në deklarimin e kaluar ka pasur 1 mijë e 550 euro.

Sipas deklarimit, Kurti ka pasur të ardhura vjetore 20 mijë e 278.12 euro nga paga neto si kryeministër.

Kurti s’ka deklaruar të ketë përfituar nga mëditjet nga udhëtimet zyrtare jashtë vendit. Në formularin e pasurisë, Kurti ka shënuar se nuk ka asnjë lloj të ardhure tjetër përpos pagës si kryeministër.

Te pronat e paluajtshme, ai ka deklaruar banesën 67 metra katrorë në emër të bashkëshortes.

Sipas tij, vlera e kësaj prone është 400 mijë euro që sipas deklarimit është marrë me kredi që zgjat deri më 2052. Banesa është blerë në vitin 2018.

Paga neto e bashkëshortes së tij e deklaruar është 44 mijë e 100 euro, e punësuar në “NUPI” në Norvegji.

Ai ka deklaruar detyrime me vlerë 250 euro për qiranë e banesës dhe 170 mijë euro të mbetura për ta paguar blerjen e apartamentit në emër të bashkëshortes.

tpz.al