“Pasi t’i shpëtoj njerëzit nga koronavirusi do…”- Valer Kolnikaj rrëfen çmendurinë që i shkoi në mendje
Ka harruar jetën e showman-it në Tiranë, për t’iu rikthyer punës si mjek në postin e drejtorit të një qendre spitalore në vendlindjen e tij, Malësi të Madhe.
Modeli dhe ish-lojtari i “Big Brother”, Valer Kolnikaj, në këtë peridhë të vështirë të pandemisë së koronavirusit thotë se është në vijën e parë të “luftës”, duke u ofruar ndihmë mjekësore 12 mijë banorëve në zonën e tij.
Për jetën në rrezik në këto kohë të vështira për gjithë globin, dhe planet pasi e gjitha kjo të mbarojë, Valeri flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Ke bërë postime me stafin nga qendra spitalore që drejton, duke parakaluar me pankarta që këshilojnë qytetarët të qëndrojnë në shtëpi. Si vazhdon puna me vartësit e tu në këto kohë karantine? Realisht keni frikë ngaqë dini di♪ka më shumë sesa qytetarët e zakonshëm?
Valer Kolnikaj: Frikë s’ka, por kujdesi në maksimum duhet! Kjo kryefjalë duhet të zbatohet nga secili. Unë kam një staf të jashtëzakonshëm pune, ku të gjithë së bashku mundohen për më të mirën. Sipas udhëzimeve, protokolleve dhe informacioneve të marra nga Ministria e Shëndetësisë po mundohemi për më të mirën për njerëzit e zonës që mbulojme me shërbim.
Na trego pak për punën që je duke bërë si drejtor i qendrës spitalore, si është të drejtosh një staf mjekësor në një situatë koronavirusi?
Valer Kolnikaj: Më besoni që është situatë shumë e vështirë për çdo drejtor të mundshëm, që i duhet ta dërgojë kolegun, infermierin në një shërbim duke e ditur që rrezikon! Kur më ka marrë në telefon ndonjë pacient për të më kërkuar infermierin për t’i dhënë një shërbim, kam qenë më i predispozuar të shkoj dhe unë, sepse më vriste ndërgjegja. Mjekët dhe infermierët janë të parët në vatrën e rrezikut. Thuhet vijë e pare për ata që punojnë te Infektivi, por në të vërtetë nuk ka vijë të parë. Mjekët dhe infermierët kudo rrezikojnë më shumë në terrene, ku nuk di nga të vjen më përpara infektimi .
Ne jemi kryesisht staf të rinjsh, dhe kolegët që janë pak në moshë, apo me diagnoza i kemi lënë më pak në ekspozim, jemi munduar t’i mbrojmë disi. Përveç pjesës që ne rrezikojmë në maksimum veten për t’u kujdesur për të tjerët, është e dhimbshme kur e mendon se çfare taksirati kanë familjarët tanë të rrezikojnë, e kjo dhemb shumë. Pastaj pjesa më e dhimbshme për ne është momenti, kur këshillat tona e mundi ynë neglizhohen, pra tendenca për të gënjyer nga ana e pacientit . Kjo na vret më shumë se Koronavirusi!
Po e përjeton dhe ti këtë situatë si Luftën III-të Botërore?
Valer Kolnikaj: Nuk di ta them Lufta e 3-të e 4-ët apo me rradhë, por është situatë që vërtet duhet ta marrim seriozisht, të mos neglizhojmë asnjë moment dhe të jemi të vëmendshëm për gjithçka që thonë mjekët , Kryeministri , epidemiologët dhe kushdo që po mendon për të tjerët në këto momente të vështira.
Si mjek çfarë mund të thuash ndonjë sekret më shumë për këtë pandemi?
Valer Kolnikaj: Si mjek ju them ta njëqindfishoni dozën e kujdesit nga ajo çfare fola deri tani dhe ajo ëfare ju është këshilluar nga të gjithë e kudo, që të na ndihmoni dhe ne t’ju ndihmojmë . Shprehja: Dora e Zotit dhe dora e mjekut, ka kuptim më shumë se kurrë në situata si këto, që e them me bindje: Do ta kalojmë!
Po si djalë i show-t, cila është mënyra më e mirë për ta kaluar karantinën pranë bashkëshortës dhe fëmijve?
Valer Kolnikaj: Këtë periudhë e kam harruar djalin show! (Qesh) Kjo pasi gjithë dita më shkon sa duke u kujdesur për rreth 12 mijë banorët e stafin që drejtoj, sa te puna me të burgosurit e stafin aty pasi jam doktori përgjegjës për sektorin e shëndetësisë. Në familjen time fatmirësisht kam prindërit e nusen që kujdesen për dy djemtë çamarrokë , se unë shumë pak kohë kam patur në dispozicion t’u përkushtohem atyre . Kjo pjesë u ndodh si e zakonshme atyre që punojnë si mjekë apo infermierë.
Si person kreativ që je, ç’ ke menduar për ta kaluar kohën tjetër në izolim në mënyrën më të mirë të mundshme?
Valer Kolnikaj: Fatmirësisht jetojmë në fshat ku ajri, uji e ushqimet janë më fantastiket e mundshme,.Shtëpinë e kemi me një truall të madh me shumë oborr, kopësht mbrapa të punuar, dhe këtu karantinimi nuk është pjesë aspak shqetësuese. Por unë them që kudo të jemi karantinimin mos ta shohim si problem, përkundrazi duhet parë e vlerësuar si moment me rëndësi ku familja është mbi gjithçka. Do të doja që dhe unë të isha së bashku me ata i karantinuar por ja që detyra më thërret, njerëzit kanë nevojë dhe t’u shkoj në ndihmë është më e pakta që mundem të bëj!
Duke qenë se një këmbë e ke në mjekësi dhe tjetrën në televizion, ku mendon se ka më shumë falsitet e brryla, në botën e mjekësisë apo të showbizit? Ku qarkullon më shumë paraja e ku bëhet më shumë qef?
Valer Kolnikaj: Meqë unë jam personi që i ka prekur nga afër dy kategoritë ju them me bindje se falsiteti më i madh është vlerësimi apo mbivlerësimi, që u behet njerëzve argëtues si futbollistëve e artistëve, etj, kur në të vërtetë heronjtë janë punonjësit e shtetit që u shërbejnë e kujdesen për popullatën. Gjatë tërmetit u kujtuam për rëndësine e inxhinierëve e ndërtuesve, gjatë Coronavirusit u kujtuam sa më rëndësi janë mjekët e infermierët , etj. Uroj të mos jemi më në situata të tilla që të njohim heronjtë e tjerë të vërtetë si ne! Lind pyetja: Po tani ku i keni VIP-at? Është e dhimbshme të kujtosh se sa lavde u thurim futbollistëve, madje duke u dhënë shpërblime të majme e pasaporta diplomatike në një kohë që mjekët, infermierët, inxhinierët, policët, etj, në situata si kjo rrezikojnë jetën për njerëzit.
E di që dikush mendon: Hë, se për atë paguheni! Duket e pabesueshme por vërtet dhe kjo thuhet ,,,, vërtet për të ardhur keq është kur dëgjojmë këtë, në një kohë që secili nga ne do jepte gjithçka që jo vetëm vetja, por së pari familjaret të mos rrezikonin kështu . Por unë besoj shumë për ditën, ku puna e të gjithëve të vlerësohet jo vetëm me fjalë, që i ndryshojnë sipas nevojës e interesit por me vepra . Unë e besoj që do të vijë ajo ditë!
Të ka shkuar në mendje të bësh ndonjë çmenduri këto ditë dhe çfarë?
Valer Kolnikaj: Të vetmet çmenduri që më kanë shkuar në mendje këto ditë, kanë të bëjnë me njerëzit e pabindur që nuk kuptojnë me fjalë sa rrezikojnë, duke mos zbatuar rregullat e parandalimit te mbrojtjes nga infektimi me Covid 19 , por jam përmbajtur !(qesh)
Për çfarë të ka bërë të reflektosh më shumë kjo periudhë paniku?
Valer Kolnikaj: Situata si kjo më bëjnë më vigjilent e mirëvlerësues të çdo situate, besoj kjo vihet re dhe në këtë intervistë (qesh). Uroj të ndodhë me të gjithë njerëzit që vërtet të reflektojnë dhe të kujdesen mirë, për veten e njerëzit e ta duan jetën.
Pasi e gjitha kjo të mbarojë çfarë ndryshimesh do i bësh jetës tënde për ta shijuar në maksimum?
Valer Kolnikaj: Kur e gjithë kjo situatë të mbarojë me sukses, të do jem doktori i lumtur që pasi ndihmoi në shërimin e plotë të njerëzve, do të vazhdojë të bëjë që ata të ndihen mirë duke i argëtuar si showman. /Panoramaplus.al nga Klotilda Harka