Pas suksesit të “Rrushe”, Capital T mund ta shohim si aktor dhe në bashkëpunim me artistë ndërkombëtarë
Duke marrë parasysh vlerat e tij artistike, nuk habitemi aspak nga fakti që Capital T po punon me artistë të huaj, duke synuar gjithnjë e më shumë tregun ndërkombëtar. Reperi i mirënjohur shqiptar ishte i ftuar ditën e sotme në “Pardon my french” në Top Albania Radio me Jonida Aliçkollin dhe Kejvin Kalo, ku ndër të tjera pohoi se gjatë udhëtimit të tij në SHBA para disa javësh ka zhvilluar disa takime me producentë të ndryshëm, mes të cilëve edhe me producentin e Pop Smoke.
“Kur isha me pushime në New York kam kontaktuar me njerëz për punë. Kam punuar me disa producentë që janë të klasit botëror, me producentin e Pop Smoke.”- rrëfeu ai, teksa i pyetur nëse mund të kemi një bashkëpunim ndërkombëtar, vijoi: “Po, janë biseda për bashkëpunim ndërkombëtar. Doja të thoja se kam prodhuar shumë, por kam vendosur mos të lançojë shumë sepse këngët nuk po e marrin vëmendjen e duhur! Vetëm po pres momentin e caktuar!”– mbylli ai.
E kur sukseset e autorit të hitit “Rrushe” nuk kanë të sosur në muzikë, ka mundësi që ai të bëhet pjesë edhe e botës së kinematografisë. Duke u ndalur te kënga e tij e fundit, që është kënga zyrtare e serialit më të ri në Kosovë, me po të njëjtin emër, reperi la të hapur derën për tu bërë pjesë e tij edhe si aktor.
“Kemi folur, e kemi diskutuar me ekipin, por akoma nuk është vendosur. Seriali akoma nuk ka përfunduar kështu që ka mundësi!”– u shpreh ai.
E ardhmja duket emocionuese e plot surpriza për Capital T, e ne mezi po presim t’i shohim të realizuara të gjitha!