Pas lajmeve për largimin e Arian Çanit, zbulohet ku do e shihni “Zonë e lirë”
Ditën e djeshme, në mediat online u përfol për një largim të Arian Çanit dhe emisionit “Zonë e Lirë” nga televizioni Klan. Sipas tyre, i gjithë stafi do të transferohej në ABC News ku po përgatiste dhe studiot e reja. Kjo e fundit u hodh poshtë nga ABC News në një prononcim për cna.al, ku u shprehën se Çani nuk ka firmosur asnjë kontratë pranë tyre.
Në ABC News nuk do të jetë, por a është larguar vërtetë nga televizioni ku shfaqej prej vitesh? Përgjigjen e ka dhënë së fundmi vetë TV Klan i cili ka konfirmuar se emisioni do të vazhdojë të jetë në ekranin e tyre. Ai ka publikuar promon në llogarinë zyrtare në Instagram, duke bërë të ditur se sezoni i ri fillon me 11 shtator. “Zonë e lirë” shfaqet prej vitesh në TV Klan dhe një largim i tillë do të ishte i pazakontë dhe i papritur. Gjithsesi, me sezonin e ri televiziv priten gjithnjë ndryshime dhe emisione të reja. /News31.al