Pas Jerina Lalajt, edhe Robert Aliaj largohet nga ‘Love Story’

Pas opinionistes Jerina Lalaj – e cila javën e kaluar deklaroi se “distancohem nga dhuna” pas debatit të ashpër me Robert Aliajn – edhe ky i fundit është larguar nga “Love Story”.

Në nisje të emisionit të djeshëm, moderatorja Alketa Vejsiu falenderoi dy opinionistët për rrugëtimin e tyre në “Love Story” dhe bëri me dije se edhe Aliaj nuk është më pjesë e programit.

“Jerina e ka lënë programin javën e kaluar për arsye që i dini. E përshëndes dhe e falenderoj për rrugëtimin që ka pasur me ne në këto dy edicione. Ndërkohë që Robert Aliaj ka bindjet e tij të cilat nuk i negocion, që ne i respektojmë dhe me mirëkuptim kemi vendosur ne dhe produksioni që ai të mos e vazhdojë më eksperiencën në ‘Love Story’ këtë vit. I përshëndes të dy dhe i falenderoj që ishin me ne,” tha Vejsiu.

Në fund të shkurtit, Lalaj dhe Aliaj patën një debat të ashpër që u pasua më pas nga komente në rrjete sociale në mbështetje të Jerinës. Javën e kaluar, ajo deklaroi se “për respekt të atyre zonjave, vajzave dhe grave që kanë shkruar gjatë gjithë kësaj jave dhe që duan të distancohen nga një dhunë e tmerrshme verbale që në shumicën e rasteve përfundon në një dhunë fizike, kjo është shoqëria për fatin tonë të keq, duke i dhënë leksione për familjen dhe duke prekur ato gra që nuk kanë patur fatin të kenë fëmijë, kështu që sot do të jetë nata e fundit që jemi bashkë,” tha ajo.

Anabel i është drejtuar Aliajt për një koment në lidhje me vendimin për largimin e tij nga “Love Story” dhe jemi në pritje të një përgjigjeje.

Anabelmagazine