Pas ankesës së Meghan Markle, moderatori i famshëm britanik largohet nga emisioni që drejtonte
Piers Morgan, një nga moderatorët më të njohur në Britani, është larguar nga bashkë prezantimi i emisioni të famshëm të mëngjesit në ITV “Good Morning Britain”, pas kritikave që bëri ndaj fjalëve të Dukeshës së Sussex, Meghan Markle, në intervistën me Oprah Winfrey. Ai ndër të tjera vuri në dyshim vërtetësinë e problemeve me shëndetin mendor që Meghan tha se kishte kaluar gjatë qëndrimit në Pallatin Mbretëror. Morgan e shprehu këtë mendim në punatën e së hënës, ndërsa “The Guardian” bën me dije se vetë dukesha ka bërë një ankesë zyrtare ndaj tij dhe platformës televizive.
Deri të martën në mbrëmje drejt platformës televizive kanë ardhur 41 mijë ankesa nga publiku, rreth sjelljes dhe fjalëve të Morgan, ndërkohë që vetë “OfCom” u detyrua të niste një hetim ndaj moderatorit dhe kolegëve të tij, nëse kishin thyer rregullat e televizionit me gjuhën e përdorur. Pak orë më vonë, ITV doli në një komunikatë ku tha se pas diskutimeve me Piers Morgan kishin vendosur që ka ardhur koha që ai të largohet nga programi.
Intervistën ku Meghan foli në lidhje me problemet e saj në monarki mund ta lexoni këtu, ndërkohë që komenti i Morgan në lidhje me të, ditën e hënë ishte: “Ku shkoi ajo të kërkonte ndihmë? Çfarë i thanë? Më fal po nuk i besoj. Nuk do e besoja as po të më lexonte parashikimin e motit”. Menjëherë fjalët e tij sollën reagim, ndërsa të nesërmen, pasi i ishte kërkuar nga televizioni të kërkonte ndjesë, moderatori tha se edhe pse nuk besonte shumë prej gjërave që Markle tha, problemet e shëndetit mendor dhe mendimet e vetëvrasjes i konsideronte si diçka shumë serioze, për të cilat duhet kërkuar patjetër ndihmë.
Po në të njejtën punatë, ai u kundërshtua nga kolegu i tij, gjë që e nxiti Piers të braktiste studion dhe tani të mos kthehet më.