“Partnerja pa një person duke vdekur para syve të saj”, u plagos me thikë në supermarket, babai i lojtarit spanjoll tregon gjendjen e të birit

Futbollisti i Monzës, Pablo Mari është plagosur gjatë një sulmi me thikë në një supermarket në Itali të enjten, ku humbi jetën një person.

29 vjeçari ishte një nga gjashtë personat që u goditën me thikë në sulmin pranë qytetit të Milanos. Mësohet se Pablo Mari është qëlluar në shpinë.

Babai i qendërmbrojtësit ka konfirmuar për radion spanjolle Cadena Cope, se ai kishte folur me djalin e tij, i cili u tha atyre se ishte “mirë”.

I ati i futbollistit shtoi: “Këto kanë qenë orë shumë shqetësuese për ne. Ata filluan të më telefonojnë në orën 20:00 dhe zemra ime rrihte fort. Veronica (partnerja e futbollistit) nuk na ka treguar se si ndodhi, por na ka thënë se ka parë një person të vdesë para saj. Ajo na ka qetësuar duke konfirmuar se janë mirë por ka qenë e frikshme për ta”.

Mari pritet që të premten t’i nënshtrohet një operacioni pasi ka pasur dëmtim të muskujve të shpinës, pas goditjes me thikë.

Arsenali në një deklaratë shkroi: “Ne jemi të gjithë të shokuar pasi dëgjuam lajmin e tmerrshëm për sulmin me thikë në Itali, ku një numër njerëzish janë shtruar në spital, përfshirë qendërmbrojtësin tonë të huazuar Pablo Mari. Ne kemi qenë në kontakt me agjentin e Pablos, i cili na ka thënë se ai është në spital dhe nuk ka marrë lëndime të rënda. Mendimet tona janë me Pablon dhe viktimat e tjera të këtij incidenti të tmerrshëm.”

Klubi i huazuar i Mari, Monza, gjithashtu reagoi: “I dashur Pablo, ne jemi të gjithë këtu pranë teje dhe familjes tënde, të duam, vazhdo të luftosh siç di të bësh, je një luftëtar dhe do të shërohesh shpejt”, shkroi CEO i klubit, Adriano Galliani.

Më pas u ofrua një përditësim i mëtejshëm për gjendjen e tij: “Pablo Mari ka një prerje mjaft të thellë në shpinë, por për fat të mirë nuk i ka prekur asnjë organ jetik si mushkëritë apo ndonjë gjë tjetër. Jeta e tij nuk është në rrezik, ai duhet të shërohet shpejt. Ai ka disa lëndime, por jo shumë serioze. Ai është i vetëdijshëm dhe ka qepje.”

Një person ka vdekur dhe të paktën pesë të tjerë janë plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë, pas një sulmi me thikë në një supermarket.

Arkëtari i supermarket, 30-vjeçar, humbi jetën pasi një burrë filloi të sulmonte njerëzit në Assago.

I dyshuari i sulmit, një 46-vjeçar, është arrestuar. Policia ka përjashtuar çdo motiv terrorist, ndërsa nuk dihen shkaqet e ngjarjes.

Dyshohet se kishte probleme me shëndetin mendor dhe kishte marrë thikën në një nga raftet e supermarketeve.

Burri filloi të godiste me thikë njerëz në mënyrë të rastësishme rreth orës lokale 18:30 në një qendër tregtare lokale.

Thuhet se u dëgjuan britma brenda qendrës, ndërsa klientët e tmerruar u përpoqën të iknin në panik.

Sulmuesi mësohet se është ndaluar nga disa klientë dhe i është dorëzuar policisë që mbërriti në vendngjarje.

PANORAMASPORT.AL