Partneri në kërkim për përfshirjen në pazaret e drogës, Suada Sherifi bën veprimin e parë publik

Ish-Missi shqiptar, Suada Sherifi, ka qenë shumë e rezervuar në rrjetet sociale për të zbuluar identitetin apo imazhe të bashkëshortit të saj. Ishte “iconstyle.al” që zbuloi në qershor të 2017-s identitetin e partnerit të saj, Eldi Dizdarit, me të cilin tre muaj më pas ajo vendosi që të publikonte video gjatë festimeve për 1-vjetorin e vajzës. Emri i tij tërhoqi vëmendjen e medias për përfshirjen në ngjarjen që ndodhi më 4 tetor në një lokal në ish-Bllok, ndërsa ndodhet në kërkim nga policia. Ndërsa Suada nuk ka bërë asnjë deklaratë për ngjarjen, i vetmi reagim është ndryshimi që bëri në rrjetet sociale. Ajo vendosi që të ndalonte komentet në fotot e saj të Instagram-it. Pavarësisht se të gjitha komentet që i janë bërë më herët nëpër postime ish-Miss-it shfaqen, nuk keni të drejtë që të komentoni pasi do t’ju shfaqet një tabelë ku shkruhet: “Komenti nuk mund të postohet”. Në këtë mënyrë ajo ka vendosur që të ndalojë të gjitha reagimet negative lidhur me partnerin apo për të.

Mediat zbuluan se Eldi Dizdari është në kërkim nga policia për të dhënë shpjegime, pasi ai është personi që pati një konflikt të fortë me Ervin Matën, partnerin e Elvana Gjatës. Sipas burimeve policore dyshja pati një konflikt jashtë lokalit, rreth 30 minuta para se të ndodhte përplasja me armë. Shkak i mosmarrëveshjes dyshohet një sasi e konsiderueshme kokaine. Mata nuk i është përgjigjur Dizdarit për këtë ngarkesë dhe mes tyre për sqarim hyri biznesmeni Ervis Martinaj, i cili është edhe një nga dy të plagosurit në lokalin ku ndodhi ngjarja. Eldi Dizdari njihet dhe me emrin Denis Matoshi ndërsa një burim për “iconstyle.al” pohoi para një viti se i riu udhëtonte shpesh për çështje pune jashtë kufijve shqiptarë.