Papa u bën thirrje izraelitëve dhe palestinezëve t’i japin fund dhunës

Papa Françesku i bëri thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të hyjnë në dialog duke shprehur keqardhje për valën e fundit të dhunës në rajon. Duke folur nga Roma pas lutjeve të së dielës, Papa tha se ishte i pikëlluar nga lajmi i palestinezëve të vrarë gjatë operacioneve antiterroriste izraelite si dhe vdekjes së izraelitëve hebrenj në të shtënat në sinagogë të premten.

“Me pikëllim të madh dëgjoj lajmet që vijnë nga Toka e Shenjtë… Spiralja e vdekjes, e cila po rritet çdo ditë, nuk bën gjë tjetër veçse vret besimin e vogël që ekziston mes këtyre dy popujve. I bëj thirrje dy qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar dhe u kërkoj që të gjejnë menjëherë, pa humbur kohë, rrugë të tjera që përfshijnë dialogun dhe kërkimin e sinqertë të paqes”, tha Papa.

Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu premtoi të shtunën një përgjigje “të fortë, të shpejtë dhe të saktë” ndaj sulmit të sinagogës në periferi të Jerusalemit, pasi ushtria e tij dërgoi më shumë trupa në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sulmi i Jerusalemit pasoi një bastisje izraelite të enjten në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor që vrau nëntë palestinezë, përfshirë shtatë persona të armatosur, dhe zjarri ndërkufitar të premten midis Izraelit dhe Gazës. Të paktën 30 palestinezë, militantë dhe civilë, janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga fillimi i muajit. /abcnews.al