Pandemia drejt fundit? Mijëra të rinj në një klub nate të Liverpool pa maska dhe distancë

Pas Barcelonës e Amsterdamit, edhe Liverpool, ka bashkuar mijëra të rinj në një klub nate, pjesë e një testi të mbështetur nga qeveria britanike për të rinisur eventet ku e pranishme është një audiencë e madhe, një përpjekje kjo për të provuar se pandemia e COVID-19 është drejt fundit.Rreth 6,000 të rinj të moshës 18 deri 20-vjeç kërcyen për orë të tëra, afër njëri-tjetri dhe pa maska pas më shumë se një viti larg muzikës dhe pubeve të natës.

Kusht për të qenë të pranishëm në event ishte që të rinjtë të ishin testuar negative brenda 24 orëve nga eventi.Testi dy-ditor është pjesë e një skeme pilot për të parë se si më shumë vende mund të rihapen në mënyrë të sigurt.

Përveç koncertit, në skemën pilot do të mbahet edhe një ndeshje futbolli në stadiumin Wembley të Londrës ku do të marrin pjesë 8,000 njerëz.

Pas një fushate të suksesshme vaksinimi, më 12 Prill Mbretëria e Bashkuar filloi me lehtësimin e masave kufizuese. Bizneset, jo-thelbësore në Angli u rihapën së bashku me pub-et dhe restorantet që shërbejnë në ambientet jashtë dhe nga 17 maj kufizimet do të hiqen më tej për të përfshirë grumbullimet në shtëpi, shfaqjet dhe eventet sportive. Kryeministri Boris Johnson shpreson të heqë plotësisht izolimin në qershor. /News31