Pandeli Majko: Mua më takonte të isha në listë të hapur, jemi në situatë delikate

Pandeli Majko, shpjegoi pse ai duhet të ishte në listën e hapur të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 Majit.

“Nëse do isha në listë të mbyllur, pyetja që do të më drejtohej do ishte: Po lini këta të rinjtë që të mbledhin vota për Partinë Socialiste?

Mua personalisht më takonte që të isha në listën e hapur. Këto nuk janë zgjedhje të lehta.

Situata nuk është kaq rozë, mendoj se është situatë nga më delikatet, për shkak të një distance të rritur midis politikës dhe publikut”, tha Majko

“Në 1992, edhe unë nuk kisha ndonjë dallim të madh nga këta të rinjtë që janë sot.

E rëndësishme është që politika të ofron shansin, të ofron protagonizmin dhe nëse nuk e mban atë protagonizëm duhet të hapësh krahun për tjetrin”, shtoi Majko.

Pandeli Majko ka folur për mungesën e debateve në Partinë Socialiste.

Ish-kryeministri tha se gazetarët dhe analistët kërkojnë debate dhe përplasje si ato që çuan në ndarjen e Ilir Metës dhe grupit të tij nga PS në vitin 2005, por që sipas Majkos, për të tilla situata kanë reflektuar pasi pësuan humbje në dy palë zgjedhje.

“Sa më shumë kalojnë vitet e një drejtuesit në një post drejtues, aq më tepër ka një konformizëm. Ju mendoni që aty nuk bëhet asnjë lloj debati. S’është e vërtetë. Aty bëhet debat. Në kushtet ku jemi në pushtet ju doni që të bëhet debat si ai që keni parë në atë KPD e famshme.

Ju mendoni se unë e kam ndonjë mburrje të madhe atë debatin që është bërë në KPD. Ne farën e atij debati e korrëm në 2005, humbëm zgjedhjet. Në atë moment njerëzit humbën besimin se ne ishim njerëz serioz në mënyrën e trajtimit të brendshëm të fateve të tyre”, tha Majko

Në vijim Majko zbuloi se një nga temat për të cilat është debatuar në PS ka qenë projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor, të cilin ai personalisht ka refuzuar ta votojë në Kuvend.

“Ka pas votim, ka pas ndarje, siç ka pas bashkim. Mendoni ju se me Ed Ramën nuk ka pasur debate. Ka ndodhur në Kongres mo, jemi larguar gjysma e delegatëve nga salla. A së fundmi. A me një fjalë ne duhet të ndihemi fajtor pse nuk hyjmë në sherr. Aaaa debat?! Rama bën debat si rregull dhe me veshjet e tij. Problemi është se ju nuk shikoni debat në publik.

A t’jua them një gjë, ne kemi pasur një debat shumë të vjetër me Ramën, për punën e kanabisit për shembull, për projektligjin që kaloi tani për kanabisin legal. Unë kam qenë kundër, kam abstenuar në Parlament. Aktualisht ne po japim licenca për mbjelljen e kanabisit. Nëse mbillet kanabis 200 m larg parcelës ku është dhënë licenca, arrestohet edhe kryeplaku, edhe kryefamiljari edhe komshiu rrezik që s’ka kallëzuar.

Ne o do ta bëjmë mbjelljen e kanabisit në Shqipëri një kundërvajtje penale të palicencuar. Ose ne nuk mund të kemi këtë situatë të dyfishtë ku japim licencat e kanabisit mjekësor, ku Kodi ynë Penal fut në burg edhe kryeplaku, nëse gjenden dy rrënjë të mbjella. Unë po ju them një shembull debati. Si e doni debatin ju, të nxjerrim shpatat ne aty në mes?”, zbuloi Majko.

ntv.al