Orinda Huta flet për herë të parë për abortin: ‘Ajo gjurmë nuk ikën kurrë’
5 vjet më parë, pak pas martesës, Orinda Huta dhe Turjan Hysko mësuan se prisnin një fëmijë, të cilin për fat të keq e humbën pas tre muajsh. Në një intervistë për podkastin e Mira Kazhanit, Orinda rrëfeu për përvojën që ka lënë gjurmë në jetën e saj.
“Ndodhi që unë mbeta shtatzënë shumë shpejt, menjëherë pas martese…(qan). Kam menduar që nuk do kisha momente të tilla për këtë. Ia kam thënë edhe shoqeve që e kanë humbur bebin e parë, që ajo gjurma nuk ikën kurrë,” tregoi ajo.
“Isha shumë e lumtur sigurisht. Ka qenë periudhë Pashkësh në fakt kur unë e kam marrë vesh që isha shtatzënë, edhe atë e prita si bekim të madh nga Zoti. Mbaj mend që kam pas kënduar edhe këngën “Somewhere over the rainbow”. Gjatë gjithë kohës isha me këtë refren. Qëndroi 3 muaj me mua dhe pastaj nuk ishte më. Zemra e tij pushoi. Kështu që aty pësova një thyerje të madhe.”
“Kur jam kthyer në shtëpi jam mbyllur në vetvete. U mbylla në dhomë. Nuk qava. Akoma nuk po e kuptoja ndoshta,” shton ajo më pas.
Moderatorja tregoi gjithashtu se pjesa e portaleve – që shkruanin vazhdimisht se ajo ishte shtatzënë – ka qenë e vështirë, sepse “gërmonin në një plagë të hapur”. “Gjithsesi [lajmet] vazhdonin me muaj të tërë. Dhe unë nuk e di, sa herë që dilja apo shtoja ndonjë kilogram, unë për të gjithë isha shtatzënë. Nuk e kuptonin. Kjo ndodh rëndom dhe në njëfarë forme i lëndojnë njerëzit. Unë e kërkoja atë shtatzëni. Unë e doja atë shtatzëni. Gjatë gjithë kohës më gërmoje aty ku unë e kisha plagën të hapur… akoma.”
Orinda shtoi se Atara, vajza e çiftit, erdhi në jetë në moment kur ndoshta ajo nuk e priste më.
“Realisht Zoti më ka bërë një dhuratë, në një moment që ndoshta nuk po e prisja më. Edhe pse brenda meje, ose edhe kur flisja me njerëzit, për t`i inkurajuar, u thosha që do vijë. Do e sjellë gjithsesi. Në fakt kam qenë gjatë gjithë 4-vjeçarit e bindur që Zoti do e sillte një ditë. Në një formë, ose në një tjetër do e sillte. Edhe Turit ia thoja. E bindnim njëri-tjetrin. Pavarësisht se në ato momente, para se të merrja vesh për ardhjen e Atarës, sikur kisha filluar të lodhesha pak. Kjo ndodh besoj me shumë nëna që e vuajnë ardhjen në jetë të një bebeje.”
Anabelmagazine