Ori Nebiaj: “Pushime luksi apo modeste në Jug? Ja sa para duhet të keni me vete”
Ka lënë pas mengjeset metropolitane në televizion, për t’u zgjuar gjithë adrenalinë në vendet më të bukura turistike të Shqipërisë, nga veriu në jug. Ori Nebiaj, këtë verë, po shijon një aventurë të bukur televizive, pikërisht me programin “Pushime on Top”, në një transmetim live. Për netët e verës pranë detit, karrierën në televizion, intervistat me pushuesit VIP të jugut dhe sekretet e trupit të saj fibër, Ori rrëfehet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
“Pushime on Top” është programi yt i ri, që realizohet në plazhet e Shqipërisë. Nëse e krahason me emisionin e mëngjesit, çfarë ka të magjishme ky format?
Ky format është i magjishëm, ashtu si edhe vetë natyra e bukur që Zoti i fali vendit tonë. Ne do të jemi çdo ditë në transmetim maratonë nga jugu i Shqipërisë, ama dimensioni që do të përcjellim është gjithëpërfshirës. I kemi kushtuar vëmendje të veçantë edhe veriut, pasi ka xhevahire të vërteta natyrore. Jo të gjithë janë të çmendur për detin, ka edhe nga ata që shijojnë më shumë guidat malore.Por, përveç kësaj, nuk mungon argëtimi dhe personazhet e njohur, që gjithashtu do të mundohemi t’i kemi më argëtues dhe të çliruar nga streset e profesioneve përkatëse. Ka diçka që nuk ka ndryshuar në këtë format, zgjimi im herët dhe puna intensive gjatë gjithë ditës. Duam të mos mungojë asgjë, për ata që do të na ndjekin në ekranin e “Top Channel”.
Të shohim tek interviston personazhe të njohura, duke i tërhequr nga pushimet e tyre. E ndjen lirshmërinë e përgjigjeve të tyre dhe a i lejon vetes një ngacmim më shumë?
I lejoj vetes shumë ngacmime dhe ata, deri më tani, ma kanë lejuar me shumë kënaqësi. Jam shumë e kënaqur me komunikimin me ta sepse nuk është kollaj të thuash “po” për disa orë me mua në “Pushime on Top”, ndërkohë që je shkëputur nga Tirana për të pushuar pak ditë me familjarë apo miq. Shpresoj që tani që emisioni nisi, ta kem edhe më kollaj dhe që publiku ta shijojë këtë format që zgjodhëm për verën.
Kur ta propozuan këtë format veror, u gëzove apo mendove që realisht do të kishe mjaft ngarkesë?
Më propozuan dy formate, njëri në studio dhe njëri breg të detit. Vendosa të rrezikoj dhe të jem jashtë studios, pasi nuk mund t’i thoja detit “jo”. Ky format ka emocione dhe adrenalinë, edhe pse çdo ditë është tejet impenjative aq sa ende s’kam mundur të lahem në det. E dija që prej fillimit, por asnjëherë s’u jam trembur sfidave sado të vështira të jenë. Eshtë e lehtë të punosh kur çdo gjë është e përgatitur dhe të gjithë kujdesen që ti të dalësh mirë, ama ka shumë më shumë emocion dhe kënaqesi kur jo të gjitha rrethanat janë pro teje.
Nën rrezet e diellit dhe valët e detit çfarë të duket vërtet dehëse apo e magjishme?
Natyra na ka falur shumë, ama ne s’jemi ende të kujdesesshëm ta respektojmë dhe ta duam gjithë këtë pasuri. Mjafton të jesh dëshmitar i lindjes së diellit teksa rreh ngjyrat e Jonit dhe të perëndimit, që ekzalton çdo detaj të panoramës. S’do doja asgjë më shumë, është thjesht magji!
Si nis dhe si mbyllet një ditë e jotja aty?
Nis me mëngjesin dhe më pas me një plan të parapërcaktuar pune, ekipet ndahen dhe ne nisemi sipas destinacioneve apo personazheve për të xhiruar. Më pas kthehemi dhe bëhemi gati për transmetimin në orën 18:00. Pas tij, menjëherë ulemi bashkë dhe bëjmë planet për ditën tjetër.
Pas një ëndrre të një nate vere, si mund të jetë zgjimi?
Hahahah, i bukur, i qetë, me shpirtin plot. Do të doja t’u uroja të gjithëve shumë netë vere të magjishme. Duhet të kujdesemi më shumë për veten dhe emocionet e mira. Sa më larg gjithçkaje negative!
Gjithmonë je komentuar për linjat e bukura në plazh, ke një regjim sekret që të mban në formë?
Pasi pranova këtë projekt të ri, gjeta kohë dhe iu dedikova palestrës në një regjim intensiv. Më rezultoi me shumë sukses dhe jam ndjerë shumë mirë. Po mundohem të gjej edhe këtu pak kohë, në mënyrë që të ushtrohem gjatë ditëve, aq sa për të mos u kthyer nga e para në shtator. Nuk kam mbajtur ndonjëherë dieta. E kam thënë dhe herë të tjera, fiziku im është krejtesisht meritë e gjeneve të tim eti, unë s’kam bërë asgjë për ta merituar.
E si përfundim, sa para duhet të marrësh me vete që të bësh qejf në jug?
Kjo është pyetja më komplekse, nëse do pushime luksi dhe do të shkosh në vende ekskluzive, nisu nga Tirana me xhepin plot, por edhe me një kartë krediti plot se nuk i dihet. Nëse do pushime më modeste, atëherë për një weekend mund të mjaftohesh me 25 000 mijë maksimumi.