One Telecommunications mbështet Kampin Rajonal të Sigurisë Kibernetike
One Telecommunications u bë pjesë e Kampit Rajonal të Sigurisë Kibernetike, të organizuar nga Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKCESK), më datat 19 dhe 20 prill. Qëllimi i eventit ishte të sillte në vëmendje rëndësinë e edukimit dhe orientimit kundrejt sigurisë kibernetike, veçanërisht tek të rinjtë që janë përdoruesit më masiv të teknologjisë. Përgjatë kampit, u vu theksi te rëndësia e rritjes së kapaciteteve të sigurisë në internet, të cilat do të prijnë drejt një mjedisi të sigurt online.
Siguria Kibernetike është prioritet i lartë për të gjitha shoqëritë në botë. Me rritjen e përdorimit të internetit, sidomos pas pandemisë kur puna u transferua online, u rritën edhe llojet e kërcënimeve. Ata që u targetuan më së shumti ishin infrastruktura ICT, private dhe publike, si edhe të dhënat sensitive të institucioneve qeveritare. Siguria kibernetike është një temë shumë delikate edhe për Ballkanin Perëndimor. Në kontekstin e një mjedisi ekonomik sa më bashkëpunues, është e rëndësishme të sigurohet një mjedis i sigurt online.
Target grupi më i prekur nga kërcënimet online janë të rinjtë 18+, por edhe fëmijët. Nga monitorimet përkatëse është vënë re një rritje e incidenteve nga 60 në 300 raste në rajon, ndaj kjo është një temë që kërkon përkushtim dhe seriozitet. Kjo vjen si pasojë e rritjes së përdorimit të mjeteve digjitale, duke nisur që herët në moshë. Aktivitete si ky kamp kanë për synim të krijojnë rrjete mes të rinjve, përmes të cilave mund të shkëmbehet njohuri dhe përvoja, që shërbejnë si një mundësi edukimi, apo edhe punësimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
One Telecommunications ka mbështetur vazhdimisht nisma të tilla, si edhe ka ndërmarrë fushata ndërgjegjësuese për navigim sa më të sigurt mes të rinjve dhe adoleshentëve.
Ndër vite, One mbetet partner i ngushtë i AKCESK, si një partneritet që udhëheq drejt politikave dhe strategjive efektive për promovimin e Sigurisë Kibernetike.