One mbështet “Techstars Startup Weekend Balkans”

One Telecommunications mbështeti aktivitetin “Techstars Startup Weekend Balkans”, organizuar nga OFIÇINA Innovation, duke pasur për qëllim fuqizimin e ideve të të rinjve nga vendi dhe rajoni. “Techstars Startup Weekend Balkans” është një aktivitet rajonal i zhvilluar në Tiranë, i cili përfshin 6 shtete dhe është organizuar në partneritet mes 7 aktorëve të fushës së inovacionit në Ballkan.

Në aktivitet u përfshinë 200 pjesëmarrës nga Shqipëria dhe rajoni, të cilët me ndihmën e 35 mentorëve, arritën të prezantonin projektet e tyre duke ndjekur hap pas hapi zhvillimin e planeve të tyre të biznesit dhe krijimin e prototipeve përkatëse. Gjatë aktivitetit 3 ditor, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin fjalime nga drejtues të industrive të mëdha, si dhe sipërmarrësve të tjerë.

Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit prezantuan idetë e tyre para audiencës dhe jurisë ndërkombëtare, e cila vlerësoi me çmime projekt-idetë më të mira. Projekti i mentoruar nga përfaqësuesit e One Telecommunications, “BioVir”, mori çmimin special të jurisë. “BioVir” i vjen në ndihmë fermerëve për përmirësimin e cilësisë së ushqimit, duke ndjekur procesin e prodhimit dhe duke dhënë këshilla për rritjen e cilësisë së produktit.

Qëllimi i një aktiviteti të tillë qëndron në vlerat e inovacionit dhe edukimit, duke synuar zhvillimin dhe orientimin drejt tregut të sipërmarrjeve të reja dhe lokale. One Telecommunications mbështet prej disa vitesh OFIÇINA Innovation Hub, si edhe aktivitete të tjera që nxisin rritjen e sipërmarrjeve të reja.