Olsi Bylyku i pakënaqur bën veprimin e papritur në emision

Olsi Bylyku ishte banori i dytë që la shtëpinë e “Big Brother VIP” mbrëmjen e së shtunës. Banorët të shokuar nuk e besonin dot largimin e tij, ndërsa shumë sugjeronin se është lojë.

Ky eliminim erdhi pas eliminimit të Gabrieles. Shkak për hapjen e televotimit të dytë është thyerja e rregullave të lojës me ngjitëse, ku pjesa më e madhe e banorëve zgjodhën të mos përfshiheshin aq shumë duke u dorëzuar, ndërsa i pari që nisi me thyerjen e rregullave ishte Juli duke lëvizur dorën për të pirë cigare.

Duket se i pari që u habit pasi dëgjoi emrin e tij, si i eliminuari ishte dhe vetë aktori. Fillimisht, ai shprehu habinë e tij, ndonëse gjithçka e mori me sportivitet dhe la shtëpinë duke qeshur. Por, një ditë më pas, vetë Olsi ka lënë të kuptohej se nuk ishte aspak i lumtur për vendimin që iu komunikua një ditë më parë. Olsi nuk ishte prezent në “Fan Club”. Është traditë që të eleminuarit të shfaqen në program, por Olsi mungoi.

Moderatorja Enxhi Nasufi tha se nuk e di arsyen e mungesës së Olsit, teksa vihet re se nga Instagrami i tij janë hequr fotot nga BBV. Shija e keqe që i la eleminimi i parakohshëm, ka bërë që Olsi të zhduke gjithçka që lidhet me këtë eksperiencë nga rrjetet e tij sociale, duke lënë të kuptohet se eleminimi i tij ishte i parakohshëm.

Megjithatë, gjatë natës së spektaklit, opinionisti i këtij formati, Arbër Hajdari e kishte paralajmëruar faktin se Olsi mund të ishte ndër të rrezikuarit e mbrëmjes. Shkak për këtë është bërë pikërisht gjendja e tij e tërhequr dhe e heshtur brenda “Big Brother”. Ndonëse emri i tij ishte ndër më të lakuarit dhe ndër më të pëlqyerit si konkurrent, Olsi që kur u bë pjesë e lojës, preferoi që të shfaqej disi më i tërhequr nga pjesa e tjetër e banorëve.

Duke pasur miqësi me disa banorë të tjerë në shtëpi, aktori i humorit, preferoi të qëndronte në grupe të vogla, dhe disi më serioz nga sa jemi mësuar ta shikojmë nën petkun e figurës karizmatike që ka batuta për çdo situatë. Në aq ditë qëndrimi sa ishte në Big Brother, Olsi nuk u bë pjesë e asnjë debate, si dhe nuk pati vëmendjen e duhur gjatë prime. Megjithatë, vendimin e publikut për ta nxjerrë nga kjo garë, Olsi e ka konsideruar të padrejtë, duke zgjedhur të reagojë në këtë mënyrë, vetëm pak orë pasi la shtëpinë.

Që para disa muajsh kur u zbulua se ai do të bëhej pjesë e lojës, e madhe ishtë vëmendja për këtë emër. Sidomos duke marrë parasysh popullaritetin që ai gëzon në publik, por edhe në rrjetet sociale. Ndaj edhe për shumë, nuk u kuptua sjellja e tij e vakët për ato 2 javë që ai ishte pjesë e shtëpisë së “Big Brother”. Një interes të shtuar pati edhe për jetën e tij private. Olsi u bë pjesë e këtij formati, vetëm pak kohë nga ndarja e tij e bujshme me Eglin. Të shumta kanë qenë teoritë rreth kësaj ndarjeje, por vetë Olsi u shpreh se në këtë lojë edhe mund të gjente partnere.

Para se të futej në shtëpi ai ka dhënë një interviste për “Big Brother Fan Club”, ku ka folur rreth jetës së tij personale.

“Olsi hyn si Olsi, ‘single’, i martuar, në një marrëdhënie, në një marrëdhënie të komplikuar, i kam lënë jashtë. A jam i hapur të krijoj lidhje? Nuk është se është e vendosur përpara se të hysh në ‘Big Brother VIP’, besoj se është pjesë ndjesie dhe unë ndjesitë i kam lënë në ‘Big Brother’ që të jenë reale”, u shpreh Olsi.

Megjithatë, pas 14 ditësh, aktori mesa duket është larguar nga kjo garë me shijen më të keqe. Madje, si për t’i dhënë fund një eksperience që nuk shkoi si duhej, ai ka fshirë çdo gjurmë në rrjetet e tij sociale nga “Big Brother”-i i tij.

konica.al