“Ofrohet hiperseksualizëm për t’i pëlqyer një publiku që s’do as veten”- Robert Aliaj: S’është çudi të rishihemi nga ekrani magjik i gënjeshtrave të lumturisë
Karantina e Robert Aliajt mund të jetë një film “48- orësh” nga Brukseli, që të intrigon për të parë nëse pas izolimit vjen fundi apo një fillim i ri.
Nuk i pëlqejnë kornizat dhe madje, ekranin e televizorit ku shfaqet vetë herë pas here, e konsideron “magjik” për t’i shitur gënjeshtrat si të vërteta.
E si një piktor, nëse do t’i duhej t’i vendoste një titull këtij peizazhi shqiptar, ai do ta titullonte “Provincializëm i frikshëm”, ku të famshmit bëjnë gjithçka vetëm për t’i pëlqyer një publiku, që sipas tij, nuk do as veten.
Pasi shprehu revoltën e tij me këngën “Ah, ku më hodhi Zoti”, Roberti në këtë rrëfim për “Panorama Plus” komenton gjithçka për këtë vend dhe realitet shqiptar, që ai e konsideron si vendin ideal për të vdekur.
I hidhur apo thjesht realist, zbulojeni vetë në këtë intervistë, ku paralajmëron edhe rikthimin e mundshëm në ekran pas pandemisë…
Si mund të ishte “48- orëshi” i karantinës që kalove në Bruksel?
Robert Aliaj: Ishte një mbyllje apo hapje mendjeje? “48-orëshi” ka frymëzuar shumë kineastë shqiptarë, në veçanti të rinjtë këto dhjetë vitet e fundit. Grupeve filmike u jepet një ‘zhanër, titull, objekt dhe një linjë dialogu, pastaj ata kanë vetëm 48 orë për t’u rikthyer të dielën me një film 4- 7 minutësh të përfunduar. Sigurisht, për mua karantina ishte një eksperiencë interesante, që krijoi pafundësi mundësish hapjeje.
Izolimin e kemi në kokë ne shqiptarët. Ndërkohë, gjatë karantinës gjithashtu, 48- orëshi u zhvillua edhe në një formë të përshtatur me situatën “48 Hour Global Film Challenge”, me 360 produksione filmike nga e gjithë bota në kushtet e karantinës, nga data 5-7 qershor 2020. Në Shqipëri nuk bëhej fjalë të përfshiheshim për shumë arsye, që nuk po i përmend tani.
Je larguar nga ekrani shqiptar. Ç’të mungon nga ajo eksperiencë dhe ç’ndjesi jo të mira kujton?
Robert Aliaj: Është një sfidë televizioni. Ju flisni për ekranin, është tjetër gjë. Unë kërkoj të jem sa më i sinqertë të jetë e mundur me praninë time në ekran, por ka gjëra që nuk varen nga ty. Nga ana tjetër, publiku shqiptar nuk pret nga ekrani zgjidhje, as relitet. Publiku shqiptar kërkon me dëshpërim të gënjehet, të mashtrohet dhe personazhet e ekraneve në përgjithësi, e bëjnë më së miri këtë gjë. Kështu që, nuk më mungon asgjë.
Për ty, një vajzë apo djalë showbizzi në Shqipëri, çfarë ka plus nga ata që jetojnë pa famën dhe nga çfarë vuan?
Robert Aliaj: Peizazhi mediatik dhe showbizzi në Shqipëri është mjerisht i varfër. Mbas gënjeshtrës, gjëja tjetër që ofrohet me tepricë nga personazhet, është hiperseksualizmi i gjithçkaje, përfshi edhe fëmijët. Gjithçka bëhet për t’i pëlqyer një publiku që nuk do as veten e vet. Provincializëm i frikshëm.
Pas izolimit duket se është rikthyer krimi. Duke u nisur nga disa dimensione të tuat si artist, Shqipëria të duket vendi ideal për filmat aksion, për piktura kaotike, apo për këngë plot revoltë?
Robert Aliaj: Shqipëria është vendi ku krimi kamuflohet në pafundësi trajtash. Po e përsëris. Për të jetuar aty është e vështirë, është vend ideal për të vdekur.
Mes një mendjeje të pistë dhe parasë së pistë, cilën do të preferoje?
Robert Aliaj: Ato shkojnë bashkë.
“Ah, ku më hodhi Zoti”, ishte kënga jote në “Kënga Magjike”, që bëri jo pak zhurmë. Në të vërtetë, ku do të kishe dashur të të hidhte Zoti?
Robert Aliaj: Po të bazohemi te realiteti, atdheu nuk është toka ku të ka lindur koka, atdheu është toka ku nuk të dhemb koka. Sa më parë të kuptohet, aq më mirë!
Dukesh si shpirti i lirë, që kthehesh gjithmonë te familja. A mund të të konsiderojmë normal që je kaq jashtë kornizave në publik, ndërkohë që në jetën private jeton brenda kornizës tradicionale të familjes: “Burri, gruaja, një djalë, një vajzë”?
Robert Aliaj: Unë mendoj se jam normal. T’i vendosësh vetes korniza për të dalë nga korniza, kjo nuk do të ishte normale.
Meqë jemi tek vajza jote Gala, si u ndjeve kur ajo me zërin e saj magjepsi jurinë në “The Voice Kids” në Belgjikë? Po punon kështu për ta futur në tregun ndërkombëtar si këngëtare?
Robert Aliaj: Gala e zgjodhi vetë rrugën e saj, nuk kam influencuar në asnjë segment. Gjithsesi, është kënaqësi të përjetosh lumturinë e fëmijës tënd.
Po djali Krist, çfarë talenti ka? Dhe je penduar në ndonjë moment që e ke mbajtur afër si shok?
Robert Aliaj: Do të bëja maksimumin që të mbetesha shok me birin, por nuk është dhe aq e thjeshtë. Ai ka perceptimet dhe angazhimet e veta, të cilat na i ndryshojnë kurbat e zhvillimit personal. Është shumë i kujdesshëm karshi meje, kam përshtypjen se po kërkon të bëjë rolin e babait me mua, kështu që i mbetet atij të më trajtojë si shok. Talent ka plot, por është përfshirë në botën e ndjesive të udhëtimeve imagjinare, një ndjenjë arratisjeje dhe aftësi që e përdor mjaft mirë për të treguar individualitetin përmes aromave.
Si përfundim, ku do të të shohim së shpejti? Ke menduar të kthehesh dhe një herë në ekranin shqiptar me një projekt të ri?
Robert Aliaj: Për momentin nuk mund t’ju përgjigjem, pikturën e kam prioritare, por nuk është çudi të shihemi nga ekrani magjik i gënjeshtrave të lumturisë.
/Panoramaplus.al nga Klotilda Harka