OBSH shpall linë e majmunëve emergjencë globale shëndetësore!
Përhapja globale e lisë së majmunëve është shpallur emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) – thirrja më e fortë që agjencia mund të bëjë në lidhje me marrjen e masave.
Kjo shënon herën e shtatë që bëhet një deklaratë e tillë që nga viti 2009, ku i fundit ishte për Covid-19. Një emergjencë e shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar përkufizohet nga rregulloret ndërkombëtare të OBSH-së mbi shëndetin si “një ngjarje e jashtëzakonshme e cila përbën rrezik për shëndetin publik për shtetet e tjera nëpërmjet përhapjes mbarëborërore të sëmundjes dhe kërkon potencialisht një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare.”
Agjencia shëndetësore e OKB-së tha se termi nënkupton se situata është serioze, e papritur, e pazakontë ose ka rrezik për shëndetin publik përtej kufijve kombëtarë dhe se mund të kërkojë vëmendje të menjëhershme ndërkombëtare.
“Me pak fjalë, ne kemi një shpërthim që është përhapur me shpejtësi në mbarë botën përmes mënyrave të reja të transmetimit për të cilat ne kuptojmë shumë pak dhe që plotëson kriteret në rregulloret ndërkombëtare të shëndetit,” tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së. “Për të gjitha këto arsye kam vendosur që shpërthimi global i lisë së majmunëve përfaqëson një emergjencë globale shëndetësore me shqetësim ndërkombëtar.”
Në nivel global, deri më tani ka pasur mbi 16,016 raste të lisë së majmunëve – 4,132 prej të cilave u raportuan javën e kaluar, sipas të dhënave të OBSH-së. Tani sëmundja është raportuar në 75 vende dhe territore dhe ka shkaktuar pesë vdekje. Rajoni i Europës ka numrin më të madh të rasteve në total, me 11,865, dhe rritjen më të lartë në shtatë ditët e fundit, me 2,705.
Dr. Rosamund Lews, drejtuesja teknike për linë e majmunëve në programin e urgjencave shëndetësore të OBSH-së, tha: “Ka shumë punë për të bërë”. Ajo shtoi se duhet të ndërmerren veprime për të përcaktuar se çfarë shkakton e rrezikun dhe për të reduktuar situatat që mund t’i vënë njerëzit në rrezik, në mënyrë që ata të mund të mbrohen. “Kjo është mënyra se si ne do të arrijmë në fund të këtij shpërthimi,” tha ajo.
Lija e majmunëve është një infeksion viral që zakonisht gjendet te kafshët në Afrikën qendrore dhe perëndimore, megjithëse mund të shkaktojë infeksione te njerëzit. Rastet janë identifikuar herë pas here në vendet ku virusi nuk është endemik, por shpërthimi i fundit ka qenë i paprecedentë.