Objektivi kuqezi kalon nga Izraeli: Cikalleshin e vë përfund gripi, ja gjithçka duhet të dini për Shqipëri-Izrael

Në një grup me tre skuadra ndeshjet brenda mureve mike bëhen kruciale, për më tepër kur kryesuesi ka dy pikë me një ndeshje më shumë dhe dy të tjerët e ndjekin me një pikë. Kështu, Shqipëria që pas përjashtimit të Rusisë nga kompeticionet e UEFA-s, nga grupi 2 i Ligës B, është bërë favorite për vendin e parë që do t’i japë një shans kualifikimi për në finalet e Euro 2024 dhe njëkohësisht ngjitjen në skenën më të shkëlqyer të futbollit europian, në Ligën A krahas kombëtareve më të famshme europiane. Natyrisht që ëndërrat të mbahen gjallë duhet fituar grupi dhe në këtë këndvështrim, me tre skuadra është shumë më e thjeshtë. Barazimi me Islandën në këtë pikë ka shërbyer, por që gjërat të sistemohen duhet një fitore në ndeshjen e parë në shtëpi. Pikërisht për këtë Izraeli vlen më shumë se tre pikë, sepse do të jepte të paktën provizorisht avantazhin në ndeshje direkte dhe do të bënte më të thjeshtë lojën e llogarive. Një fitore e miqve në Arenën Kombëtare do ti bënte automatikisht ata favoritët e mëdhenj për të njëjtat arsye: do të kalonin Islandën me dy pikë në renditje dhe do të mbanin poshtë kuqezinjtë që do ti prisnin më pas në shtëpi, por do të udhëtonin pastaj në Reikjavik. Një skenar që askush në kampin e kombëtares nuk dëshiron ta mendojë, sepse kombinimi i rezultateve bëhet i favorshëm për Shqipërinë vetëm në rast fitore të premten dhe me 4 pikë e një kundërshtar për ta pritur në shtëpi gjërat janë shumë të thjeshta. Edoardo Reja e di mirë, kjo ndeshje është vendimtare dhe askush nuk duhet të gabojë…

FORMACIONI
Nga Islanda te Izraeli, distanca është vetëm katër ditë, por në zgjedhjet e Edoardo Rejas është një det i tërë. Kështu, në dispozicion të teknikut Italian rikthehen xhevahirët e munguar në transfertën e Rekjavikut, duke nisur nga dyshja e shumëpritur e sulmit Broja-Uzuni, deri te forma Bajrami e Asllani që kanë rigjetur kondicionin fizik. Mungesa e vetme e sigurtë është Odise Roshi, që nuk do të ketë minuta as në ndeshjen e dytë të Ligës së Kombeve. Fakti që Broja ka kryer stërvitje me ngarkesë të plotë dhe është shfaqur në gjendje të mire e bën sulmuesin shkodran favoritin kryesor për të nisur si titular, bashkë me Uzunin, që ka lënë seancat individuale për të përballuar me sukses punën me grupin. Tekniku Edoardo Reja rikuperoi, në krahasim me sfidën me Islandën, dy sulmuesit Armando Broja e Myrto Uzuni, por humbi Sokol Cikalleshin, titullar në sfidën e Reikjavikut. Sulmuesi është me gjendje gripale që e ka penguar të marrë pjesë edhe në seancën e fundit stërvitore para ndeshjes, duke e bërë pothuaj të sigurtë mungesën e tij në fushë. E megjithatë, Reja nuk është vecanërisht i preokupuar sepse Broja e Uzuni kanë treguar gjendje të mirë fizike dhe janë rikuperuar plotësisht. Në anën tjetër, performance e mesfushës në ndeshjen e parë, përjashtuar Abrashin, nuk i shpëtoi kritikave, kështu që disa minuta të Asllanit në Islandë dhe stërvitjes intensive pas kthimit në Shqipëri e bëjnë mesfushorin e Empolit të jetë më në avantazh ndaj Gjasulës. Të njëjtin pretendim ka edhe Bajrami, fantazinë fine të të cilit Cekici nuk mundi ta zëvendësojë dot. Ndërsa pjesa tjetër me Balliun e Hysajn në krahë e Abrashin në qendër nuk ndryshon, ashtu si edhe prapavija e gjitha e rikonfirmuar me Berishën mes shtyllave i mbrojtur nga Kumbulla, Ismajli e Gjimshiti, që ka kështu rastin të shlyejë gabimin e bërë katër ditë më parë…

SYNIMI
Nuk ka asnjë rezultat tjetër përvec fitores që mund ti vlejë Shqipërisë, në daljen e dytë në Nations League, por të parën përpara publikut të shtëpisë. Kuqezinjtë do të luajnë përballë Izraelit, që aktualisht kaë të njëjtat numra me skuadrën e Rejas, ose më saktë një pikë në renditje në një ndeshje të luajtur duke barazuar kundër të njëjtit kundërshtar, Islandës. Diferenca është se izraelitët e kanë marrë barazimin në shtëpi dhe Shqipëria në transfertë, por dallimi i vërtetë do të bëhet në mbrëmjen e sotme në Arenën kombëtare, kur dy skuadrat të zbresin në fushë në orën 20.45.

IZRAELI
E qartë se tre pikët do të anojnë dukshëm peshoren në anën e fituesit të mundshëm të grupit, ndërsa edhe tekniku Alon Hazan ka menduar ndryshimet në skuadër për të kërkuar suksesin, pa prishur gjithësesi bazën e skuadrës që barazoi me islandezët. Shon Ëeissman duhet të përfshihet në skuadrën e Izraelit pasi shënoi golin e dytë për kombëtaren e tij i futur në fushë si zëvendësues kundër Islandës. Mahmoud Jaber bëri gjithashtu një impression pozitiv në debutimin e tij në ndeshje dhe mund të preferohet ndaj Mohammad Abu Fani në mesfushë. Me nga një pikë, një pas Islandës kryesuese, për të dy skuadrat është dita e të vërtetës në pretendimet e tyre për të rrëmbyer vendin e parë në grup, që vlen kalimin në Ligën A dhe mban gjallë ëndërrën për të shkuar në Europian.