Nusja e videos së shpërthimit në Liban tregon përjetimin e tmerrshëm: Pyesja veten, a do vdes?
Videoja e nuses në Liban, e cila po pozonte para kameras me fustanin e bardhë në momentin kur ndodhi shpërthimi, bëri xhiron e rrjetit. Kamera regjistroi momentin kur shpërthimi masiv goditi kryeqytetin libanez të martën, duke vrarë 135 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 5,000 të tjerë.
29-vjeçarja Israa Seblani është doktoreshë dhe punon në Shtetet e Bashkuara. Ajo kishte mbërritur në Liban vetëm 3 javë më parë, për t’u marrë me përgatitjet e dasmës.
“Unë kam qenë duke u përgatitur për ditën time të madhe për dy javë dhe isha aq e lumtur si të gjitha vajzat e tjera. Mendoja: Jam duke u martuar. Prindërit e mi do të jenë të lumtur duke më parë me fustanin e bardhë. Do të dukem si një princeshë,” –u shpreh ajo për Reuters. “Ajo që ndodhi gjatë shpërthimit këtu – nuk shpjegohet me fjalë… Unë u trondita! Po pyesja veten çfarë ndodhi, a do të vdes? Si do të vdes?”
Gjithçka u shkatërrua në moment!
“Ndihem aq e trishtuar për atë që ndodhi me njerëzit, për atë që ndodhi me Libanin. Kur u zgjova dhe pashë dëmin që i kishte ndodhur Bejrutit, e vetmja gjë që thashë ishte faleminderit Zotit që jemi akoma gjallë”, -është shprehur Israa Seblani.
Pas shpërthimit, ajo dhe burri i saj u përpoqën ta mblidhnin veten dhe të vazhdonin me dasmën.
“Burri im më tha të vazhdojmë, ne nuk mund të ndalemi. Isha si dakord, pse jo, vazhdojmë! Unë nuk po kënaqesha në atë moment, isha si duke ecur, fytyra ime ishte duke buzëqeshur, buzët më buzëqeshnin, kaq, jo më shumë. Pastaj shkuam të hanim darkë” –shprehet çifti teksa kujton skenën e dhimbshme kur shkuan në dhomën e shkatërruar të hotelit për të marrë sendet dhe pasaportat.
Seblani e do shumë Libanin, por mendon se pas shpërthimit të së martës, nuk ka asnjë mundësi të jetojë atje.
“Ka shumë dëme, shumë njerëz u vranë dhe u plagosën. Por gjithashtu kur mendoj veten time, burrin tim, fotografin – se si shpëtuam të padëmtuar, falënderoj Zotin që na mbrojti,” –shprehet ajo, teksa përpiqet të jetë optimiste në mes të një tragjedie.