“Nuk i dhuroj kurrë lule, bëhem xheloz për …!”- 20 vite të pandarë në martesë e karrierë, Altin Basha rrëfen sekretet e pathëna me Ilirjanën

Në prag të 20-vjetorit të partneritetit të tyre në jetë dhe në karrierë, regjisori i njohur Altin Basha ka rrëfyer sekrete nga jeta e pandarë me skenografen nga Kosova, Ilirjana Basha.

Edhe pse nuk është shumë i dhënë pas datave dhe surprizave, ai natyrisht që është një partner i mirë.

“Për vite me radhë, kur Altinin e pyesnin kur e ka ditëlindjen gruaja, ai thoshte në 17, ndërsa unë e kam në 27”, deklaroi Ilriana në studion e “Pasdite në Top Channel” pak kohë më parë.

Ishte një intervistë e gjatë nisur me ish-regjisorin e “Portokallisë”, Altin Basha, që vazhdoi me bashkëshorten dhe kolegen e tij, ish-kostumografen e spektaklit të humorit, për t’u mbyllur me tre fëmijët e çiftit.

E duket se çifti vazhdon të ketë të njëjtën romancë prej dy dekadash. Ata ecin krah për krah njëri-tjetrit, si çiftet tradicionale që s’ndahen kurrë nga njëri-tjetri, dhe kështu të pandarë do t’i shohim në spektaklin e ri të humorit me titull “Kosherja“.

Tashmë është bërë e ditur se ai bashkë me bashkëshorten e tij, Iliriana Bashën, punojnë përkrah njeri-tjetrit. Por si erdhi vendimi për krijimin e diçkaje nga e para?

Sa e lehtë dhe e vështirë ishte për regjisorin dhe kostumografen? Iliriana tha se që në fillim ka qenë optimiste dhe pro për të filluar diçka nga e para, pasi mendon se janë në pikun e krijimtarisë së tyre.

“Pjesa që vendosëm të linim një pjesë të jetës sonë dhe t’ia fillonim nga fillimi, unë në këtë anë isha shumë më optimiste dhe shumë më pro për një fillim të ri, ndonëse nuk e kemi atë moshë që kemi pasur para 17 viteve kur nisëm ‘Portokallinë’. Mirëpo mendoj që ne jemi në pikun e prodhimit dhe mendoj që e kemi dhe një 15-vjeçar tjetër shumë aktiv. Dhe isha shumë pro. Altini sigurisht e kishte pak më të vështirë se unë’, tha Iliriana.

Ndërsa Altin Basha u shpreh: “Portokallia ishte projekt i jetës dhe unë nuk u largova me dëshirë nga Top Channel. Detyra jonë si regjisorë është të krijojmë ‘brand e, të krijojmë shfaqje teatrore, të krijojmë projekte, kështu që në këtë kuptim nuk kisha shumë merakun nëse do të krijoja një projekt të suksesshëm apo jo sepse për këtë mendoj që kam fituar eksperiencën e mjaftueshme. Çështja ishte te një partneritet i sigurt, serioz, që t’u përgjigjej të gjitha kërkesave të një emisioni të kësaj natyre, që ka shumë elemente. Në fakt është vlerë që ne arritëm të gjenim një partneritet që na siguron të gjithë mbështetjen dhe lirinë e duhur për të bërë gjërat siç i mendojmë ne.”

Altini tha se në këtë sfidë donte të afronte shumë të rinj e zotohet se shumë shpejt ata do të jenë yje të ekranit. Ai zbuloi edhe emra surprize ‘Big’ si; Olta Daku, Eriona Kakeli, Besmir Bitraku por… sipas regjisorit, priten edhe aktorë fëmijë.

Nga ana tjetër, Iliriana tha se e ka parë Altinin të qeshë shumë në provat e fundit, çka e siguron se do të kënaqemi të djelave me “Kosherja”.

Por le të kthehemi te partneriteti i tyre në martesë dhe punë, si ia kanë dalë të mos përçahen edhe pse punojnë në televizion?

Çifti Altin dhe Iliriana Basha rrëfyen detaje mjaft interesante dhe të pathëna më parë në lidhje me marrëdhënien e tyre. Gjatë rubrikës “1 jetë, 5 këngë” u zbulua se Iliriana preferon shumë surprizat.

Ajo në 40-vjetorin e Altinit e surprizoi me këngën “Ain’t No Sunshine”, bashkë me kolege dhe ish-kolege e kishin incizuar në versionin shqip, për të emocionuar Altinin.

Por kjo këngë nuk ishte vetëm kaq! Ajo është edhe simbolizim i nisjes së dashurisë së tyre dhe udhëtimeve të shumta Tiranë- Prishtinë. Ndërsa Iliriana është natyrë romantike dhe e surprizave, nuk mund të themi të njëjtën gjë për regjisorin. Ai bën rrallë surpriza, por na tregon pse ka hequr dorë prej tyre.

“Ne kemi një histori shumë të bukur në fakt që ka ndodhur vite më parë. Iliriana ka qejf që t’i dhurojnë lule. Gjë që unë s’e bëj fare! Dikur unë vendosa t’i blej një tufë lule dhe eca me kujdes rrugës që të mos më dukeshin shumë, i mbaja pas kurrizit. Sa shkoj te dera me lulet në dorë, Iliriana thotë “kush t’i dha?”, tregoi regjisori.

Ndërkohë, në rubrikën “Altini apo Iliriana?” zbuluam se të dy janë xhelozë dhe secili e shpreh në mënyrën e tij.

“Unë jam më shumë xheloze. Unë gjithmonë nga pak lë nam! Por edhe Altini, pavarësisht se ky nuk e shpreh”, tha Iliriana.

Altini tregoi se është xhelozuar për një makiato. Një kamerier i kishte sjellë Ilirianës një makiato shumë të mirë dhe ishte treguar shumë i sjellshëm. Kaq mjaftoi që Altini të xhelozohej dhe të qeshurat të shpërthenin në studio.

“Të bëri makiato në darkë, në shtëpi?”, pyeti Ermali. Me nota humori Iliriana shtoi: “Lëre tani, më bëri tjetër gjë!”. Ky ishte një nga rrëfimet e çiftit që kanë një jetë bashkë dhe mund të konsiderohet një çift tradicional shqiptar me plot kuptimin e fjalës.

/Panoramaplus.al