“Nuk hyjmë në auditorë”, pedagogët kërkojnë rritje pagash
Ashtu siç dhe kishin paralajmëruar, pedagogët po zhvillojnë një protestë në Tiranë, ku kërkojnë plotësimin e disa kushteve në universitete.
Çështja kryesore është rritja e pagave për pedagogët dhe ndihmësit. Më pas rritja e financimit për kërkimin shkencor, apo rritja e pagës për orët shtesë janë disa nga kërkesat e tjera, pa plotësimin e të cilave ata nuk pranojnë të hyjnë në auditorë.
Pedagogu Aleksandër Petre në deklaratën për media, gjatë zhvillimit të protestës tha se nga bisedat me ministren Evis Kushi u tha se të gjitha kushtet do të plotësoheshin, por nuk kishte buxhet.
“Sot kryeministri, pas ministres së Arsimit shkon përsëri të takojë kolegët tanë në UBT dhe gojët e liga thonë që do na bëjnë qëndresë. Jo, ju them mos e besoni. Ai ka shkuar për të thënë unë jo vetëm që do plotësoj kërkesat minimaliste të pedagogëve, por do shtoj dhe të tjera sepse unë jam zgjedhur dhe nga një pjesë e juaja,” – ironizoi Petre.
Pedagogu bëri një thirrje për kryeministrin duke thënë se pritën 20 ditë, do presin dhe 13 ditë të tjera dhe më 17 tetor nuk do të hyjnë në auditor për të filluar vitin e ri shkollor.