“Nuk haja dhe nuk pija”, David Beckham rrëfen luftën me depresionin kur ishte vetëm 23 vjeç
“Per aspera ad astra”! Besojmë së kjo aforizëm e njohur latine, përkthimi i së cilës në shqip do të ishte “Nga vështirësitë drejt yjeve”, është ajo që përkufizon më së miri jetën e David Beckham, djaloshit të ndrojtur nga Leytonstone që arriti majat e futbollit anglez dhe atij botëror, brenda pak vitesh. Por, gjërat s’kanë qenë kurrë të lehta për Dave, të paktën jo aq të lehta sa teknika e tij e lindur në krosime dhe goditje të lira.
Në një rrëfim të bërë së fundmi për “The Times”, 48-vjeçari ka folur për periudhën e errët kur u zhyt në depresion dhe vështirësitë për ta pranuar atë. Ishte viti 1998, kur Anglia humbi me penallti finalen e Kupës së Botës përballë Argjentinës, një humbje e cila asokohe iu atribua Beckham-it.
“Kur flisja për atë episod në intervista gjithmonë thoja se ishte e vështirë. Asgjë më shumë”,-tregon ish-futbollisti për Times. “Ishte e vështirë për mua të pranoja se isha në depresion, sepse jam rritur nga një baba, i cili sa herë i thoja: ‘Babi, nuk ndihem mirë sot’, më përgjigjej prerazi: ‘Ngrihu në këmbë dhe reago’. Por e vërteta është se nuk mund të haja, nuk mund të flija. Terapi psikologjike? Jo, e mbajta kokën ulur dhe punova dy herë më shumë”, -shpjegoi David Beckham duke iu referuar momentit të vështirë që kaloi këtu e 25 vite të shkuara. Ish-ylli i “Djajve të kuq” pati disa paraqitje të dobëta sportive, të cilat i gjithë shtypi anglez ia ngarkoi lidhjes me Victoria Beckham.