“Nuk është traditë e jona”! Në Suedi kërkohet ndalimi i ecjes baba-vajzë drejt altarit
Në Suedi po bëhen thirrje për ndalimin e “ecjes baba dhe vajze” drejt altarit në rastet e ceremonive martesore.
Sipas traditës, në kishën suedeze, e cila është luterane, nusja dhe dhëndri ecin bashkë drejt altarit, në vend që nusja të shoqërohet drejt altarit nga babai i saj, siç ndodh në Britaninë e Madhe apo në Shtetet e Bashkuara.
Por, në vitet e fundit, të ndikuara ndoshta edhe nga televizioni, filmat apo rrjetet sociale, më shumë vajza suedeze po kërkojnë që drejt altarit, “të dorëzohen” nga baballarët e tyre.
Kjo çështje, që shumë suedezë e përshkruajnë si “traditë Hollivudi”, ka filluar të ziejë prej ca kohësh tashmë, sidomos në vitin 2010, kur princesha suedeze e kurorës, Victoria, vendosi të shoqërohej pjesërisht në altar nga babai i saj, Mbreti Carl Gustaf.
Në ditët e fundit, debati është rikthyer pas dorëzimit të një mocioni në adresë të kishës suedeze, për ta ndaluar praktikën e dorëzimit të vajzave nga baballarët në altar.
Sara Waldenfors, pastore në Nylöse, Gothenburg, e cila së bashku me Jesper Eneroth parashtroi propozimin në fjalë, tha se nuk ka shpëtim nga simbolika patriarkale.
“Trendi relativisht i ri, sipas të cilit, babai shoqëron nusen drejt altarit dhe ia dorëzon atë dhëndrit, nuk është traditë e kishës sonë,” u shpreh ajo për The Observer.
“Edhe pse si skenë duket e bukur…ne nuk mund të shpërfillin atë që simbolizon: një baba duke i dorëzuar një virgjëreshë të mitur kujdestarit të saj të ri.”
Por anëtarët e tjerë të kishës nuk janë dakord. Henrik Lööv, një komisioner ekzekutiv në famullinë Jönköping, tha se ka të bëjë me lejimin e përfshirjes së familjes në ceremoni dhe jo një “dorëzim ligjor dhe patriarkal”.
“Nëpërmjet kësaj, nusja ose dhëndri zgjedhin të shënojnë rëndësinë e një të afërmi në jetën e tyre – një zgjedhje që do të thotë shumë për të gjithë të përfshirët”.
voxews.al