Nuk e “fsheh” më në rrjete sociale, Shkurte Gashi publikon foto me partnerin e saj

Shkurte Gashi e mbajti private lidhjen e saj romantike me Albert Limanin për më shumë se një vit dhe vetëm para pak ditësh tregoi arsyen e fortë pse mori një vendim të tillë.

“Unë nuk kam dashur ta bëjë publike lidhjen me Albertin para, sepse nuk kam dashur të merren mediat dhe portalet me mua ose thjeshtë me jetën e Albertit se nëse unë jam artiste dhe fytyrë publike, Alberti ka një profesion tjetër edhe tash nuk duhet ta vuajë ai këtë pjesën time, edhe të merren mediat me të”, është shprehur Shkurte gjatë intervistës për “NIN”.

Mirëpo mbrëmjen e djeshme, këngëtarja e njohur i ka habitur të gjithë kur publikoi një foto krah Albertit në llogarinë e saj në Instagram.

Ajo shfaqet e ulur pranë një pianoje, ndërkohë që Limani qëndron afër saj. Gashi nuk shkroi asgjë krahas imazhit përveçse etiketoi partnerin e saj.

Gjatë intervistës të dhënë disa ditë më parë, këngëtarja zbuloi se kishte një vit e gjysmë që njihej me të para se të mbetej shtatzënë me fëmijën e tyre të parë, djalin Mali.

Gjithashtu, shtoi se lidhjen do ta kiste bërë publike pak javë para dasmës së planifikuar në muajin shtator të vitit të kaluar, që u shty për shkak të vdekjes së babait të partnerit të saj.

Ndërsa në lidhje me shtatzëninë, këngëtarja tregoi se e ka mbajtur të fshehtë për shkak të frikës që ka përjetuar gjatë kohës së pandemisë. Ajo tha se një javë pasi vendi u izolua nga koronavirusi, ajo mësoi se është shtatzënë.