Notat/ Berisha e pëson si… Nojeri, është kthyer “demi” Cikalleshi

“Panorama Sport” ju sjell notat e lojtarëve të Shqipërisë që u aktivizuan dje kundër Kazakistanit si dhe të trajnerit Reja:

BERISHA 4

Pritje fantastike që në minutën e 5-të dhe më pas e sheh si Nojeri ndeshjen, larg zonës së tij, deri në minutën e 24-t, kur pëson një gol po si… Nojeri. Po, por si gjermani kur luante te Shalke dhe Stankoviçi i shënoi nga mesi i fushës. Megjithatë, nuk dorëzohet dhe është vendimtar në dy raste të tjera. Po të mos ishte për atë përgjumje, meritonte dy nota më lart.

HYSAJ 6

Shtyn si mundet përpara, por shërben pak dhe keq. E tepron ndonjëherë me mbajtjen e topit, por falë eksperiencës mban gjithçka nën kontroll. Ndeshje mesatare.

ISMAJLI 6,5

Agresiv në duelet një për një, shtyn përpara me vendosmëri dhe shënon një gol me shumë peshë. I zoti në leximin e lojës, por në momente të caktuara e nënvlerëson rivalin dhe shkëputet shumë nga Gjimshiti.

VESELI 6

Një ndeshje me grintë dhe personalitet, por pak bashkëpunues me Uzunin në krahun e majtë. Natyrisht, nuk mund të presësh mrekulli nga një qendërmbrojtës tipik kur jo vetëm që e vendos në krah, por ia ndërron pozicionin në çdo ndeshje. I qëndrueshëm.

UZUNI 5.5

Shtyn pak përpara, detyrohet të kthehet shumë pas për të marrë topin dhe hera-herës nuk bën dot si duhet rokadën me Kallakun për të depërtuar nga qendra. I sakrifikuar, por shpërdoron raste të pastra për gol.

(Nga min 81’ Doka – Pa notë. Hyn me grintën e duhur dhe përpiqet të lërë shenjë duke vërshuar disa herë në sulm. I uritur dhe me cilësitë e duhura për të zënë një vend në Kombëtare).

KALLAKU 5.5

Personalitet dhe shumë dëshirë, por pak efikas. I shkëputur nga dyshja e sulmit dhe i markuar ashpër nga rivalët, nuk ia del të lërë shenjë. U kujdes të ishte besnik i udhëzimeve të Rejës, por doli jashtë natyrës së tij duke krijuar shumë pak.

(Nga min 53’ Gjasula 6 – Sjell ekuilibër në fushë dhe u jep frymëmarrje Memushajt e Abrashit. Është i sigurt në çdo top dhe bëhet i rrezikshëm me pasimet e rrufeshme pasi e ka thyer aksionin. Është veprimi i tij special dhe bën mirë që nuk heq dorë).

ABRASHI 7,5

Vrapon, thyen aksione dhe fiton një penallti me “dhunë”. I vetmi që nuk u step nga fiziku i rivalëve dhe fuste kokën aty ku të tjerët druajnë të vendosin këmbën. Çfarë lojtari!

MEMUSHAJ 7,5

Asisti për golin e Cikalleshit është thjesht perfekt. Më pas edhe goli i dytë nga Ismajli lind prej një krosimi të tij në zonë. Finesë, forcë dhe sa shumë sakrificë në fushë. I kishte munguar shumë kombëtares vlonjati

(Nga min 86’ Selahi – Pa notë. I kujdesshëm dhe me shumë dëshirë, por pati pak kohë në dispozicion për të lënë gjurmë).

MANAJ 7

I saktë nga pika e bardhë e penalltisë, vrapon shumë dhe krijon hapësira mjaftueshëm, por në momentin final ose godet pa forcë, ose përton të shërbejë për shokët. Nëse përmirëson edhe këtë aspekt, lushnjari mund të bëhet vërtetë vendimtar

(Nga min 86 Balaj – Pa notë. Për atë që tregoi me Kosovën meritonte më tepër hapësirë).

CIKALLESHI 7,5

Në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Kavajasi shërbehet pak, por tanimë është vrastar para portës. Vrapon shumë, bën sponda për shokët dhe ndër të paktët që mban topin në këmbë më shumë se 3 sekonda për të zhvendosur ekipin përpara. “Demi” është rikthyer.

(Nga min 86’ Seferi – Pa notë. Shumë pak kohë për të lënë shenjë në një ndeshje që kishte mbaruar kur hyri ai).

EDI REJA 7

Fitorja duhej dhe fitorja erdhi. Pa u vënë asnjëherë në diskutim, edhe kur Berisha ia prish humorin… Ka meritë për këtë, por edhe sepse skuadra funksionon mirë në shumicën e kohës. Shqetësimi është që ekipi kapet dy herë në befasi sapo shënon gol. Një problem që duhet ta zgjidhë sa më shpejt. Ndërkohë, me zëvendësimet ndoshta duhet të jetë pak më “elastik”. Memushaj 86 minuta në lojë kur je duke fituar 3-1 dhe ke humbur Abrashin për “finalen” me Bjellorusinë, nuk duket një llogari e mirë.

PANORAMASPORT.AL