NOSTALGJI/ Dy golat më të famshëm të historisë së futbollit në një ndeshje, 34 vite nga dita kur Maradona u kthye në legjendë

Sot bëhen plot 34 vite nga realizimi i dy golave më të famshëm në historinë e futbollit botëror nga Diego Armando Maradona në çerekfinalen kundër Anglisë në Kupën e Botës të “Meksikë 1986”.

“Djali i Artë” eliminoi i vetëm “3 Luanët” duke realizuar në vetëm një takim golin më polemizues dhe golin më të famshëm në futboll. Pasi anglezët nuk spastruan një top brenda zonës së tyre të rreptësisë, ylli i Napolit përfitoi nga pakujdesia e mbrojtjes kundërshtare dhe në tentativë për të shënuar me kokë zgjati dorën dhe kaloi topin pas krahëve të portierit të Anglisë Piter Shilton.

Edhe pse pamjet e treguan qartë veprimin e parregullt të Maradonës, për gjyqtarin e takimit çdo gjë ishte e rregullt duke u ndikuar dhe nga fakti që kapiteni i Argjentinës festoi menjëherë golin për të mos ngjallur dyshime te gjyqtarët. Pas takimit, ai u justifikua se “goli u shënua me Dorën e Zotit”.

Katëtr minuta më pas erdhi radha e golit që do të gjunjëzonte të gjithë botën nën këmbët e Maradonës. Pasi merr një top nga shokët e skuadrës, Maradona përshkon të gjithë gjysmëfushën e anglezëve duke dribluar 5 lojtarë së bashku me portierin Shilton. Mediat i dhanë titullin “Goli i Shekullit”.

Anglezët u ndjenë të dënuar padrejtësisht nga ky takim, ndërsa sfida ndezi akoma më shumë rivalitetin sportiv mes Anglisë dhe Argjentinës në futboll. Argjentinasit ia kushtuan triumfin 2-1 të gjithë ushtarëve të vendit të tyre, të cilët ranë në konfliktin me Mbretërinë e Bashkuar për Ishujt Falkland në vitin 1982.

PANORAMASPORT.AL