Noizy thotë se nuk dëshiron ta mbyllë karrierën pa pasur këngë me Elvana Gjatën

Ori Nebijaj ishte kurioze të dinte se pse Noizy, i cili ka bashkëpunuar me shumë këngëtarë, nuk ka ende një këngë me Elvana Gjatën. Në një intervistë për “Pushime on top”, reperi u shpreh se e ka në plan një bashkëpunim.

“Kemi folur me Elvanën. Noizy i mëhershëm, i 2008-ës, ka bërë një këngë, ‘Jena mbretër’, edhe është përmendur pak Elvana aty, të cilën e kemi diskutuar dhe i kam thënë që ka qenë thjesht një këngë,” tha ai, duke treguar se mes tyre nuk ka hatërmbetje. “Ajo këngë tashmë është himn i çdo diskoje. Unë kam gjithë ato vite karrierë dhe atë këngë akoma duhet ta këndoj. Do doja shumë të mos e kisha përmendur, sepse është një vajzë shumë e mirë, vajzë fantastike.”

Pra, do të ketë një bashkëpunim?

“Po, posi jo. E kemi diskutuar. Nuk dua ta mbyll karrierën pa pasur këngë me Elvanën,” përfundoi ai.