Noizy po mendon të mbyllë karrierën si këngëtar? Blerim Destani: E ka gabim, gjithë shqiptarët mburren me të

Duke i paraprirë koncertit të parë masiv nga reperi Noizy në Tiranë, “Alpha Show”, kamera e ‘Abc e Pasdites’ ishte në festën private të artistit, ku u mblodhën miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë.

Blerim Destani, ndër personat më të afërt të Noizy, rrëfeu se tashmë xhirimet e filmit të tij në Shqipëri përfunduan, e megjithatë ai ndodhej në Tiranë veçanërisht për këtë festë private.

Për më tepër Destani pohoi se “ku mund ta ndihmojmë njëri tjetrin gjithmonë e mbështetim.” Në një periudhë të ngarkuar si kjo për dy artistët, si janë kontaktet mes tyre?

“Unë e pyes atë, jo ai. E kam thirrur, më thotë prit 5 minuta ta mendoj dhe të thërras përsëri. Në fakt jam unë që e pyes për diçka, jo ai.” – shprehu aktori teksa zbulonte se ndonëse mes shumë punësh, komunikimet me Noizyn ishin të vazhdueshme.

Teksa i drejtonte një mesazh mikut të tij, Blerim Destani zbuloi ndoshta dhe një detaj ende të paditur nga publiku. A mund të jetë ky koncerti i lamtumirës nga reperi Noizy?

“Ai tenton apo mendon sëshpejti ta mbaroj karrierën dhe do doja që mos të ndodhte kjo. Është një njeri shumë i lartë. Shqipëria më 2 milion banorë, të jesh aq i suksesshëm sikur është Noizy meriton një mburrje për të gjithë ne dhe shpresojmë mos të ndalojë kurrë.” – tha Blerim Destani.