Njihuni me “Mbretin Spanjoll”, gjyshin ‘cool’ 91-vjeçar që punon si model
I pazakontë dhe i nxirë nga dielli, bie në sy pa u përpjekur dhe është 91 vjeç. “Mbreti Spanjoll” ose Andrés García-Carro u bë aksidentalisht një model pasi mbesa e tij, Celine van Heel filloi ta fotografonte rreth 3 vjet më parë dhe zgjodhi emrin e Instagram-it të tij.
Garcia-Carro është krijuar për t’u fotografuar, me një shikim të çeliktë dhe një fytyrë këndore si yjet e kinemasë. Sot, rrjetet e tij sociale kanë një numër të konsiderueshëm ndjekësish ndërsa ka realizuar fushata për Zara e Adidas duke u bërë kështu një prej modelëve më të moshuar aktivë në Europë, shkruan “CNN”.
“Ai di të pozojë. Mendoj se ai ka lindur duke ditur si të pozojë”, thotë van Heel gjatë një telefonate ndërsa ndodhet së bashku me gjyshin e saj në Gran Canaria ku po realizojnë fotot e një fushate të re. “Mund t’i veshësh gjithçka dhe duket fantastik”.
Ndërsa vetë Garcia-Carro shprehet në një email se ndihej i lirshëm që herën e parë kur Celine e fotografoi. “Pendohem që s’e kam filluar këtë karrierë 20 vjet më parë”.
Van Heel tregon se ka qenë gjithnjë e afërt me gjyshin, por marrëdhënia u forcua gjatë kohës së pandemisë të cilën ajo e kaloi në Spanjë me të dhe gjyshen. Asokohe ajo punonte si asistente ekzekutive në revistën franceze të modës, “L’Officiel” dhe nuk e kishte provuar fotografinë (sot është puna e saj me kohë të plotë).
Të mbyllur në shtëpi, ajo nisi ta vishte dhe fotografonte gjyshin si dhe të ndërtonte një profil Instagram-i që po tërhiqte ndjekës. “Ai ka qenë gjithnjë me shumë stil. Kur ishte i ri, vishte pallto të gjata me gëzof si Macklemore dhe syze dielli si aviator”.
Garcia-Carro ka qenë fermer në Argjentinë, pronar restoranti në Uruguai dhe agjent imobiliar në Spanjë. Fotot e tij si model u shfaqën për herë të parë në “L’Officiel China” në vitin 2020. Më pas, nisi të tërhiqte vëmendjen e markave të ndryshme nga ku erdhën mundësi të reja.
“Mbreti Spanjoll” duket më i ri se sa 91 vjeç, madje mbesa e tij thotë se “ka bërë pakt me djallin”, aq më tepër që konsumon cigare dhe bën banja dielli, por për Andres karriera e re i ka dhënë “një jetë të re dhe shumë energji”.
“Dukem më i ri se më parë! Gjëja më shpërblyese në këtë punë është njohja me njerëz të rinj, mësimi i gjërave të reja, të qenurit aktiv! Nuk dua të rri ulur në dhomën e ndenjes duke parë jetën që kalon përpara syve të mi”.
Andrés Garcia-Carro i bashkohet modelëve në epokën e tyre të artë. 91-vjeçarja Carmen Dell’ Orefice është një prej emrave më të vjetër që vazhdon të pozojë dhe ecë në pasarela./tvklan.al