Njeriu më i pasur i Britanisë së Madhe kërkon të blejë Manchester United: ja kush është sipërmarrësi 69 vjeçar

Zero fitore në dy ndeshje dhe vendi i fundit në renditjen e Premier League. Lojtarë të pakënaqur, tifozë të zemëruar dhe një atmosferë e tensionuar do të ishte një konstatim i butë për të treguar situatën në Old Trafford. Për të mos përmendur çështjen e pazgjidhur të Cristiano Ronaldos, që qartazi mbahet në klub pa vullnetin e tij. Situata në Manchester United është në prag të kolapsit dhe trajneri i ri Erik ten Hag duket se është që tani në krizë. Megjithatë, një rreze drite mund të vijë në nivel klubi: familja Glazer, e kontestuar nga shumica e tifozëve të Djajve të Kuq, së shpejti mund t’i kalojë pronësinë e klubit njeriut më të pasur në Angli, Sir Jim Ratcliffe.

Sir Jim Ratcliffe është “seriozisht i interesuar” për blerjen e Manchester United. Kështu tregon një burim i mirëinformuar për Sky Sport News. Sipërmarrësi 69-vjeçar, pronar i kompanisë kimike Ineos, është një tifoz i madh i Djajve të Kuq dhe konsiderohet si një nga njerëzit më të pasur në Britani me një pasuri neto të vlerësuar mbi 15 miliardë euro nga Bloomberg. Ai tashmë zotëron ekipin e çiklizmit Ineos Grenadiers dhe ekipet e futbollit të Nice në Ligue1 dhe Lozanës në Zvicër. Ratcliffe dëshiron të marrë pronësinë e Manchester United duke përfshirë në operacion disa ish-lojtarë dhe menaxherin e përgjithshëm të Ineos Grenadiers, Sir Dave Brailsford.

Miliarderi britanik u përpoq të blinte Chelsean majin e kaluar, përpara se klubi londinez t’i shitej amerikanit Todd Boehly. Interesi i tij për Manchester United vjen pas të dhënave të Bloomberg se familja Glazer, e cila ka në pronësi United që nga viti 2005, po mendon të shesë një pakicë të aksioneve në klub. Një zëdhënës i Ineos tha se kompania është e interesuar të blejë një pakicë të aksioneve me perspektivën e blerjes së klubit.

Manchester United nuk ka komentuar ende mbi zërat për interesimin e mundshëm të Ratcliffe. Nuk është detaji i parë i ndryshimeve të mundshme të pronësisë për Manchester United. Sipërmarrësi Elon Musk, CEO i Tesla dhe SpaceX, mohoi se donte të blinte klubin vetëm disa orë pasi postoi një njoftim në Twitter ku shfaqte synimin e tij për të blerë ekipin anglez të futbollit. “Ishte shaka, unë nuk do të blej asnjë ekip sportiv”, ka shkruar Musk.